Mirënjohje Zyrtare për Kontributin e Çmuar në Arsim : Azemine Abdullahu
Azemine Musmurati Abdullahu ka lindur më 2 prill 1961 në fshatin Poliçkë, Komuna e Kamenicës, në një familje të njohur për bujari dhe atdhedashuri.
Shkollën fillore e përfundoi në vitin 1976 në SHF “25 Maji” në Poliçkë, ndërsa shkollën e mesme në vitin 1980 në Gjimnazin “9 Maji” në Hogosht, në drejtimin Ekonomiko-Financiar. Në vitin 1984 diplomoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike (SHLP), drejtimi Matematikë.

Ishte pjesëmarrëse aktive në demonstratat e vitit 1981, së bashku me bashkëveprimtare si Drita Kuqi, Qefsere Malaj dhe Shyhrete Mala, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në aktivitetet kombëtare gjatë viteve 1981–1990. Gjatë kësaj periudhe, ajo bashkëpunoi me shumë veprimtarë të çështjes kombëtare, ndërsa banesa e saj shërbeu si strehë e sigurt për veprimtarët e lëvizjes ilegale për çlirimin e Kosovës.
Në vitin 2013 vazhdoi studimet në programin “Avancimi i kualifikimit të mësimdhënësve”, drejtimi Matematikë-Informatikë, në Universitetin e Prishtinës – Qendra në Gjilan, ku në vitin 2015 fitoi titullin Bachelor në Matematikë-Informatikë.
Karrierën si mësimdhënëse e Matematikës e filloi në vitin 1986 në Komunën e Prishtinës, në SHF “Avni Rrustemi”, ku punoi deri në vitin 1990. Nga viti 2003 deri në vitin 2006 punoi në SHFMU “Metush Krasniqi” në Roganë të Kamenicës. Që nga viti 2006 e deri në pensionimin e saj, ka shërbyer si mësimdhënëse e Matematikës në SHFMU “Musa Zajmi” në Gjilan.
Gjatë karrierës së saj, ka ndjekur dhe përfunduar trajnime të shumta profesionale të organizuara nga DKA Gjilan dhe MASHT, si dhe ka përfunduar të gjitha nivelet e ECDL.
MIRËNJOHJE
Me krenari dhe respekt të veçantë, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për arsimtaren e nderuar, Azemine Abdullahu, e cila me përkushtim, dashuri dhe profesionalizëm të lartë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin dhe arsimimin e shumë brezave.
Ajo nuk ishte vetëm një mësimdhënëse, por një udhërrëfyese dhe frymëzim për nxënësit e saj, duke përçuar vlera të larta njerëzore dhe arsimore. Me durim, përkushtim dhe zemër të madhe, ajo ka ndriçuar rrugën e dijes dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë gjeneratave.
Faleminderit për çdo sakrificë, për çdo këshillë dhe për kontributin e çmuar ndër vite!
Ju urojmë shëndet, lumturi dhe suksese të mëtejshme në jetë!
Me respekt,
Drejtoria e Shkollës Fillore dhe e Mesme të Ulët “Musa Zajmi”, Gjilan 02.04.2026



