Para nxënësve të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është prezantuar programi i Punës Praktike, me qëllim që të eksplorohen interesat e nxënësve dhe të rriten aftësitë e tyre për punësim.
Ky është një cikël i ri i punës praktike të Kosovo Generation Unlimited (K-GenU), i cili fuqizon dhe punon me të rinjtë duke i lidhur me mundësitë për përmirësimin e tranzicionit të tyre nga shkolla në punë.
Siç ka theksuar, Flutura Abdullahu, prezantuese e këtij programi, ai ofron punë praktike për të rinjtë që duan të fitojnë përvojë ne mjedise profesionale dhe të ndërtojnë aftësitë e tyre, ndërkohë që u ofrohen trajnime dhe mentorë për t’i mbështetur në rrugëtimin e tyre.
Përmes një partneriteti të zgjeruar dhe nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, UNICEF-it dhe Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare, kjo iniciativë e suksesshme e zhvillimit të aftësive dhe punësimit do të ofrojë hapësirë dhe mundësi për deri në 10,000 të rinj.
Organizatorët i kanë ftuar të rinjtë nga mosha 16 – 24 vjeçare që të regjistrohen në platformën digjitale www.kosovogenu.com/register , që të krijojnë profilin e tyre, të përcjellin shpalljet e postuara nga kompanitë dhe organizatat në platformën digjitale apo aplikacionin mobil dhe të shprehin interesimin për të aplikuar direkt aty dhe pasi që të aplikojnë, mbi ecurinë dhe statusin e aplikimit do të njoftohen përmes e-mailit apo njoftimeve në telefonin e tyre.
Për ata që punësohen, puna praktike do të zgjas 3 muaj, të rinjtë kanë të drejtë të punojnë 4 orë në ditë dhe do të kompensohet në vlerë mujore prej 300 euro.
Një prezantim i tillë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” ishte bërë edhe vitin e kaluar dhe kishin përfituar shtatë nxënës, të cilët janë punësuar në institucionet komunale. Komuna e Gjilanit kishte ofruar 100 vende pune.
Ndryshe, kjo nismë ofron edhe kurse të ndryshme pa pagesë. Programi është prezantuar në të gjitha klasat e dymbëdhjeta në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”./kryelajmi.com/.



