Mysafirët marrin epërsinë në nismë të serisë finale!
Një ndeshje mjaft interesante është zhvilluar në “Sezai Surroi” sot, derisa Prizreni dhe Drita u ndeshën në përballjen e parë të serisë finale të playoffit të Ligës së Parë të Kosovës.
Fituesi i kësaj serie do të sigurojë biletën për Superligë në stinorin që vjen.
Pas pjesës së parë të ngushtë, ku Prizreni kishte epërsi të ngushtë, 42-40, në pjesë të dytë, veçanërisht në çerek të tretë Drita tregoi mbrojtje të fortë për të ndalë vendasit në 9-18 (III) për të mbajtur rezultatin në atë të fundit dhe për të shkuar te fitorja, 71-85.
Me këtë, Drita merr epërsinë 0-1 në serinë finale dhe tashmë seria bartet në Gjilan. Playoffi i Ligës së parë luhet me maksimalisht tri ndeshje dhe ekipi që arrin së pari dy fitore shpallet kampion dhe merr vizën për Superligë.
Jay Walker me 24 pikë dhe Donat Rexhepi me 21 pikë kanë qenë lojtarët kryesorë që kanë bërë dallimin në fitoren e Dritës. Pos tyre, edhe Adhurim Aliaj ka shënuar pikë dyshifrore, 12.
Ndërkaq te Prizreni Rron Dahsyla me 28 pikë ka qenë më efikasi, derisa me 11 pikë ndeshjen e kreu Hajriz Hazeri.
Pra, tani Drita ka gjithçka në dorë të saj, derisa Prizreni duhet të barazojë rezultatin në përballjen e radhës për të rikhtyer serinë në “Sezai Surroi” për ndeshje finale, në të kundërtën seria përfundon në Gjilan!





