Shkruan: Basahkim Isufi
Ndërkohë që në Gjilan po prezantohen projekte të reja infrastrukturore si ndërtimi i rrethrrotullimeve në pika kyçe për lehtësimin e qarkullimit, projekte këto të mirëseardhura për qytetarët, këto zhvillime vlerësohen si hapa pozitivë në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit, megjithatë, realiteti në terren paraqet një situatë krejtësisht tjetër.
Shumë rrugë në qytet ndodhen në gjendje të rënduar, me gropa të shumta, dëmtime të asfaltit dhe prerje të pakontrolluara, të cilat e vështirësojnë qarkullimin dhe rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve.
Me ardhjen e pranverës, gjendja e rrugëve në Gjilan është bërë alarmante. Gropa të shumta, dëmtime të asfaltit dhe prerje të shumta, si me leje ashtu edhe pa leje për kyçje në infrastrukturë teknike, po e vështirësojnë qarkullimin dhe po rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve.
Për shkak të mosveprimit të qeverisjes lokale, qytetarët janë detyruar të ndërmarrin veprime vetjake, duke mbushur vetë gropat me kubeza betoni për të parandaluar aksidentet dhe për të siguruar lëvizje më të sigurt. Ky veprim domethënës tregon jo vetëm pakënaqësinë e qytetarëve, por edhe iniciativën e tyre dhe nevojën urgjente për ndërhyrje efektive nga autoritetet komunale.
Komuna e Gjilanit ka lidhur tri kontrata kornizë për “Mirëmbajtjen verore të rrugëve”, të publikuara më 23 dhjetor 2025, pas procedurave të prokurimit që filluan në fillim të vitit 2025, me një vlerë totale prej 2.5 milionë euro. Kontratat parashikojnë riparimin e gropave, sanimin e dëmtimeve të asfaltit, mirëmbajtjen e pusetave dhe treturave, si dhe të strukturave të tjera rrugore në qytet dhe fshatra.
Sipas kontratave, zbatimi i shërbimeve bëhet përmes urdhrave të blerjes nga Komuna, që do të thotë se kompanitë kontraktore intervenojnë vetëm pas njoftimit zyrtar dhe kanë afat deri në pesë ditë për të kryer punimet e kërkuara. Kjo e vendos përgjegjësinë kryesore për identifikimin dhe evidentimin e dëmtimeve mbi Komunën, ndërsa kompania ka rol ekzekutiv pas autorizimit.
Vonesat e vazhdueshme në riparimin e gropave dhe heqjen e pengesave nuk janë thjesht çështje neglizhence. Kur ndërhyrjet nuk realizohen në kohë, dëmtimet përkeqësohen nga reshjet e shiut dhe borës, duke u shndërruar nga riparime të thjeshta në ndërhyrje të kushtueshme që rëndojnë ndjeshëm buxhetin publik. Kjo situatë alarmante ngrit dyshime serioze mbi menaxhimin e kontratave, pasi çdo vonesë mund të favorizojë kompanitë e kontraktuara dhe të rrisë shpenzimet e qytetarëve.
Mungesa e reagimit të menjëhershëm dhe transparencës institucionale e përforcon këtë problem, duke e bërë të domosdoshëm një hetim urgjent dhe mbikëqyrje të rreptë nga organet përgjegjëse për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Inspektorët e komunikacionit kanë detyrimin ligjor të monitorojnë gjendjen e rrugëve, të evidentojnë çdo rrezik dhe të raportojnë menjëherë tek Drejtoria për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim. Kjo drejtori ka përgjegjësi për ndërhyrje urgjente, garantimin e sigurisë rrugore dhe zbatimin e kontratave në përputhje me standardet.
Sipas Nenit 55 të Ligjit Nr. 08/L-275 për Rrugët, inspektori ka përgjegjësi të monitorojë gjendjen e rrugëve dhe strukturave rrugore, duke përfshirë asfaltin, gropat, pengesat dhe çdo rrezik që mund të ndikojë në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Pika 1.5 e Nenit 55 parashikon qartë: “Në rastet të rrezikimit të qarkullimit rrugor ose mund të shkaktohen dëmtime në të, inspektori duhet të urdhëroj masat e përkohshme, në mënyre që të mënjanohen rreziqet apo të pengohet dëmtimi”. Kjo do të thotë se, kur rruga paraqet gropa, pengesa ose dëmtime që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, inspektori duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për t’i eliminuar ose minimizuar rreziqet, duke vendosur sinjalistikë, barriera ose masa të tjera sigurie, derisa të kryhen riparimet e plota.
Në Gjilan, gjendja aktuale e rrugëve, me gropa të shumta, dëmtime të asfaltit dhe pengesa të ndryshme infrastrukturore, tregon se ky detyrim nuk po zbatohet si duhet. Vonesa në riparimin e gropave dhe heqjen e pengesave rrit rrezikun për automjetet dhe këmbësorët, duke e bërë qarkullimin publik të pasigurt.
Mosndërhyrja në kohë për riparimin e gropave nuk mund t’i atribuohet drejtpërdrejt operatorëve ekonomik, përderisa nuk ka pasur urdhër blerje apo njoftim zyrtar nga komuna. Përkundrazi, një situatë e tillë evidencon mungesë të funksionimit të mekanizmave të brendshëm të monitorimit dhe mbikëqyrjes nga ana e komunës, e cila ka detyrim ligjor dhe kontraktual të sigurojë mirëmbajtjen e rrugëve dhe zbatimin efektiv të kontratës.
Për rrjedhojë, përgjegjësia primare për gjendjen e rënduar të rrugëve dhe prezencën e gropave bie mbi Komunën, e cila duhet të garantojë evidentimin në kohë të problemeve, lëshimin e urdhrave përkatës dhe mbikëqyrjen e realizimit të punimeve në përputhje me standardet e sigurisë rrugore.
Prandaj, Komuna ka detyrimin ligjor për monitorim, raportim dhe ndërhyrje në rrugë, si dhe për mbikëqyrjen e kontratave të mirëmbajtjes. Mosveprimi ose vonesa e ndërhyrjeve është një shkelje e detyrimeve ligjore dhe përgjegjësisë administrative.
Është koha që Komuna e Gjilanit të ndalojë vonesat, të zbatojë kontratat e mirëmbajtjes dhe të tregojë se siguria dhe mirëqenia e qytetarëve janë prioritet. Mosndërhyrja jo vetëm rrit rrezikun për aksidente, por edhe rëndon buxhetin publik me riparime më të shtrenjta në të ardhmen.



