Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim Enver Shabani, së bashku me zyrtarët e drejtorisë për vlerësimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyore, kanë filluar vizitat në teren në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për vlerësimin e gjendjes së lumenjve dhe identifikimin e nevojave për ndërhyrje në pastrimin e tyre.
Drejtori Enver Shabani, tha se gjatë këtyre vizitave në terren, po bëhet inspektimi i detajuar i segmenteve të ndryshme të lumenjve në territorin e komunës, me fokus të veçantë në zonat ku janë evidentuar probleme të mëhershme si grumbullimi i mbeturinave, bllokimi i rrjedhës së ujit, dëmtimi i brigjeve, si dhe rreziku potencial për përmbytje.
Sipas tij zyrtarët po evidentojnë të gjitha pikat kritike dhe po mbledhin të dhëna konkrete, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e një plani të qartë dhe efikas për ndërhyrje.
“Ky aktivitet ka për qëllim jo vetëm përmirësimin e gjendjes aktuale të lumenjve, por edhe parandalimin e rreziqeve që mund të paraqiten si pasojë e reshjeve të mëdha apo faktorëve të tjerë natyrorë”, tha Enver Shabani.
Drejtori për Mbrotje dhe Shpëtim, tha se përmes këtyre vizitave, synohet të rritet niveli i gatishmërisë institucionale dhe të sigurohet një reagim i shpejtë dhe i koordinuar në rast nevoje.
Drejtori Shabani, theksoi rëndësinë e mirëmbajtjes së vazhdueshme të lumenjve si një element kyç në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe në ruajtjen e mjedisit.
Ai gjithashtu nënvizoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe angazhimi i komunitetit janë të domosdoshëm për të arritur rezultate të qëndrueshme në këtë drejtim.
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet relevante dhe qytetarët, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar një mjedis më të pastër dhe më të sigurt për të gjithë”, tha Enver Shabani.




