Komunikacion

Gjilani pa linja urbane, taksitë mbeten alternativa kryesore

Shkruan: Bashkim Isufi

Gjilani vazhdon të përballet me një nga problemet më të theksuara të infrastrukturës urbane, mungesën e transportit publik funksional.

Në mungesë të një sistemi të organizuar të transportit urban, qytetarët janë të detyruar të mbështeten pothuajse tërësisht në shërbimet e taksive për lëvizjet e tyre të përditshme.

Kjo situatë ka krijuar një varësi të drejtpërdrejtë nga taksitë, duke e bërë çdo ndryshim në tarifat e tyre të ndjehet menjëherë në xhepin e qytetarëve.

Nga ana tjetër, duhet kuptuar edhe realiteti me të cilin përballen taksistët. Rritja e vazhdueshme e çmimit të karburanteve, shtrenjtimi i mirëmbajtjes së automjeteve, si dhe kostot e përgjithshme të operimit, kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e fitimit të tyre real. Në këto kushte, rishikimi i tarifave shpesh shihet nga ta si domosdoshmëri për të mbijetuar ekonomikisht.

Megjithatë, mungesa e një sistemi të organizuar të transportit urban në Gjilan e ka thelluar këtë problem, duke i lënë qytetarët pa alternativë reale dhe duke krijuar një balancë të vështirë mes përballueshmërisë së çmimeve dhe qëndrueshmërisë së shërbimit.

Transporti publik nuk është luks, por një shërbim bazik që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe zhvillimin ekonomik të një qyteti. Mungesa e tij në Gjilan është një dështim i vazhdueshëm i politikave komunale që kërkon adresim urgjent dhe jo trajtim deklarativ.

You Might Also Like