Gjilan

Ndahet nga jeta mërgimtari dhe humanisti i shquar, Ismet Shukri Ismajli

Është ndarë nga jeta mërgimtari, e humanisti i njohur, Ismet Shukri Ismajli. Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët, duke shënuar një humbje të madhe për miqtë, dashamirët dhe të gjithë ata që e njohën nga afër.

Historia e jetës së Ismet Ismajlit është ajo e një atdhetari të vërtetë, i cili që nga viti i largët 1969 mori rrugën e mërgimit, por pa u shkëputur asnjëherë nga rrënjët e tij. Përgjatë dekadave në diasporë, ai u dallua si një mbështetës i pashoq sa herë që Kosova pati nevojë. Ai iu përgjigj me gatishmëri çdo thirrjeje të atdheut, duke dhënë kontributin e tij të rëndësishëm në fondin e 3-përqindëshit, si dhe duke ndihmuar fondin “Vendlindja Thërret”. Përtej mbështetjes për atdheun, ai ishte një shtyllë e fuqishme për bashkatdhetarët në Gjermani, ku ndihmoi dhe mbajti gjallë vazhdimisht jetën kulturore dhe sportive të shqiptarëve atje.

Ceremonia e varrimit të të ndjerit do të bëhet nesër, pas namazit të Ikindisë në orën 17:00, në Varrezat e Qytetit në Gjilan. Ndërkaq, sipas njoftimit të përcjellë nga nipi Arber Ismajli, e pamja për të pritur ngushëllimet do të mbahet për tri ditë radhazi, duke filluar nga dita e enjte. Dyert e së pamës do të jenë të hapura nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 18:00, në ambientet e Restaurant “Luli”.

You Might Also Like