ARSIMI

JAVA E FIZIKËS

Me mbi 40 eksperimente, është mbajtur me sukses Java e Fizikës, në kuadër të aktiviteteve shkollore, e organizuar nga mësimdhënësja e fizikës, Trëndelina A. Koleci.
Në këtë aktivitet morën pjesë nxënësit e shkollës, të cilët prezantuan njohuritë dhe punimet e tyre në fushën e fizikës, duke e bërë këtë javë mjaft të veçantë dhe edukative.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, z.Jeton Rexhepi.
Drejtori i shkollës, z.Zaim Zymeri, e falënderoj drejtorin e DKA-së, z. Jeton Rexhepi, për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet, ndërsa, mësimdhënësen dhe nxënësit i përgëzoj për angazhimin e tyre në organizimin e kësaj jave, duke dëshmuar edhe një herë se shkolla jonë mbetet e përkushtuar në promovimin e dijes dhe edukimit cilësor.
Arsimtarja e Fizikës, në fjalën e saj, ndër të tjera theksoi se qëllimi i mbajtjes së Javës së Fizikës është t’u mundësojë nxënësve të kuptojnë më mirë dukuritë natyrore përmes eksperimenteve, demonstrimeve dhe aktiviteteve praktike. Ajo shtoi se, duke i zbatuar njohuritë teorike në situata konkrete, synohet që mësimi i Fizikës të bëhet më tërheqës, më praktik dhe më kuptimplotë për nxënësit, dhe kështu të nxisim dashurinë për shkencën e Fizikës.
Ndërsa, Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, z.Jeton Rexhepi, e vlerësoi lartë angazhimin e institucionit, mësimdhënëses dhe nxënësve, si dhe rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla që nxisin interesimin për shkencat natyrore dhe zhvillimin e mendimit kritik te të rinjtë.

You Might Also Like