Futboll

Arbnor Ramadani, lojtar i Gjilanit shpallet “Ylli i Javës”

⭐ Arbnor Ramadani “Ylli i Javës” ⭐

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 29-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të SC Gjilani, Arbnor Ramadani.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Agim Xhakolli, Besim Slishani dhe Blerim Haxholli.

Ky komision vendosi që epiteti i yllit të javës t’i takojë Arbnor Ramadani të SC Gjilani, ngase asistoi në dy golat e fitores së skuadrës së tij kundër Malishevës si mysafir (2:0). Ai u vlerësua edhe për paraqitjen e mirë gjatë tërë ndeshjes në mesfushë dhe për kreativitetin që i dha lojës së gjilanasve.

Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e SC Gjilani , Arbnor Ramadani e ndau Dardan Kajdomqaj, menaxher i shitjes në Albi Group.

Arbnori u shpreh i lumtur që për herë të dytë u vlerësua me çmimin ‘Ylli i Javës’, derisa theksoi se fitorja në Malishevë ka bërë që skuadra e tij të jetë afër arritjes së objektivit për ta siguruar daljen në garat evropiane edhe në këtë edicion.

“Kjo është hera e dytë që shpallem më i miri i javës dhe është një kënaqësi e vërtetë, sidomos tash në fund të kampionatit, kur secila lojë luftohet shumë, secila pikë është e rëndësishme dhe secili lojtar jep më shumë se 100% nga vetja. Për këtë çmim meritë kanë edhe bashkëlojtarët, të cilët i falënderoj për punën dhe përkushtimin e madh në ndeshjen kundër Malishevës. Tani Gjilani është këndellur dhe jemi në rrugën e duhur për të siguruar daljen në garat evropiane. Na presin edhe 7 ndeshje të tjera shumë të rëndësishme, derisa shpresojmë të jemi edhe në finale të Kupës së Kosovës”, ka theksuar Arbnor Ramadani për faqen zyrtare të FFK-së.

You Might Also Like