Futboll

Blerta Shala, yll i futbollit kosovar

Babain e saj ajo e kishte frymëzim. Duke qenë profesor i Kulturës Fizike dhe Sportit, Blerim Shala gjithnjë pranë vetes e kishte vajzën e tij Blertën, e cila që në moshë të re shpalosi talentin e saj për futbollin dhe kur u themelua Klubi i Futbollit të Femrave Drita, ajo ishte ndër të parat që u regjistrua aty. Ëndrra e kamotshme e Blerta Shalës po bëhej realitet.

Nuk u desh shumë kohë që ajo të dëshmohet dhe ishte Kombëtarja e Shqipërisë që e ftoi në prova. Duke parë talentin e saj, përzgjedhësi Nevil Dede i dha mundësinë që të paraqitet e Blerta ishte strumbullarë i lojës në mesfushë e në sulm kontribuonte duke shënuar.

Duke qenë nxënëse në Gjimnazin Shoqëror “Zenel Hajdini” ajo nuk i ndahej as futbollit të vogël dhe falë lojës së saj të mrekullueshme kjo shkollë ngadhënjeu në garat komunale, rajonale e më pas edhe në ato republikane. Kishte ardhur koha që talenti i saj dhe i shoqeve të saja të shpaloset edhe jashtë kufijëve e në garat ndërkombëtare që u mbajtën në Poreç të Kroacisë kjo shkollë zuri vendin e pestë, ku ishin përballur edhe me moshataret e tyre nga Brazili, Franca e vatra të tjera të futbollit.

Viti 2016 ishte një arritur tjetër për të, ajo nga komuna e Gjilanit përzgjidhet sportiste e vitit e në kampionatin 2017/2018 nga Sporti Shkollor në Gjilan ajo nominohet për të qenë sportiste e vitit.

Ishte kjo kohë kur Blerta Shala merr ftesë që të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe ajo pa hezitim i përgjigjet ftesës, megjithëse me plot vullnet kishte djersitur edhe fanellën e Kombëtares së Shqipërisë.

Edhe futbolli evropian i kishte hapur dyert për Blerta Shalën. Ajo merr ftesë nga FC Zurich në Zvicër dhe për tre muaj shkaku i kushteve që i ishin ofruar, por edhe dëshira për të studiuar në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit kishin bërë që ajo të kthehet në Kosovë edhe atë në KFF Hajvalia e me këtë ekip u kualifikuan në Champions League. Blerta Shala mund të krenohet se i kishte shënuar gol klubit të famshëm evropian Sporting Lisbona nga Portugalia.

Edhe 2017-a për të ishte tejet e suksesshme, ngase me klubin e saj, Hajvalia, Blerta Shala shpallet sportistja më e mirë e Prishtinës.

Viti pasues sjell një aventurë të re për Blerta Shalën ngase ajo tashme kishte nënshkruar me KFF Mitrovica, ku vazhdon të luaj edhe tashti. Edhe Mitrovica luajti në CHampions League, bile më 2019 kaloi raundin e parë dhe është klubi i parë në Kosovë që e bëri një gjë të tillë. Me këtë klub ajo katër herë u shpall kampione e Kosovës dhe katër herë ishin fitues të Kupës së Kosovës.

Ajo u shpall futbollistja më e mirë në Kosovë për vitin 2020 e mesfusha e KFF Mitrovica dhe ajo e kombëtares së Kosovës nuk mund të paramendohet pa fantazisten Blerta Shala, e cila deri më tashti ka zhvilluar 31 ndeshje për përfaqësuesen e Kosovës në Futboll.

Blerta Shala vazhdon që të jetë e përkushtuar në sportin e futbollin, ajo ka ende për të dhënë për këtë sport, kurse është kënaqësi të shikohet se si ajo manovron me topin – sferën magjike, që sot është bërë i dashur edhe ndër femra. kryelajmi.com

You Might Also Like