Futboll

Drita, a po i kthehet lojës së vet origjinale, në ndeshjet e fundit e frikshme

Shkruan: Fehmi SYLEJMANI

Teksa kampionati i Kosovës në Futboll po shkon kah fundi i saj, lufta për titull,  gjithnjë  e më tepër, po bëhet më e paqartë, më e  “zjarrtë” dhe mjaft interesante.

Tashmë dihet, se tri skuadra të Superligës së Kosovës, Ballkani, Drita dhe Llapi, duke mos anashkaluar as edhe Malishevën,  kanë gjasa jo vetëm teorike, por edhe praktike, për të dalë kampion  të këtij edicioni.

Seria pozitive e shtatë ndeshjeve të fundit e  skuadrës “bardhë e kaltër’ të Gjilanit, ka ngushtuar dukshëm diferencën  e pikëve , në mes të parit dhe të dytit,  përkatësisht të tretit në tabelën e klasifikimit.

Drita në serinë e 7 ndeshjeve të fundit, ka korr katër fitore , dy ka siguruar si nikoqir dhe dy  në udhëtim, teksa tri  herë ka barazuar, një si vendës dhe dy  si mysafir.

Nga 21 pikë të mundshme të shtatë ndeshjeve, Drita ka tubuar 15 pikë, ose 71.43 për qind. Një statistikë mbresëlënëse dhe e frikshme.

Ka shënuar 12 gola, shtatë herë kanë  shkundur rrjetat  e portave kundërshtare në Gjilan dhe 5 herë tjera jashtë qytetit. Në anën tjetër,  ka pranuar vetëm 7 gola.

Dy ndeshjet e cilësuar si debi, kundër Llapit dhe Ballkanit, ekipi i trajnerit Zekirija Ramadani,  në udhëtim ka marrë rezultat pozitiv, duke siguruar 4 pikë.

Ajo çka i ka veçuar këto dy takime, në Podujevë e Suharekë, skuadra e Dritës,  ka dëshmuar dhe performuar një nivel krejt tjetër të futbollit.

Nuk është parë kaherë loja e tillë e Dritës, me një formë origjinale, organizim të shkëlqyer, disiplinë maksimale,  strategji taktike dhe mentalitet  të mirëfilltë fitues.

Ka mbizotëruar më tepër në fushë, qarkullim më të shpejt të topit, ka krijuar raste dhe aksione, ka treguar karakter dhe shpirt të fortë luftarak, përkushtim dhe angazhim të pashoq, guxim dhe vetëbesim, si kundër e ka menaxhuar shumë mirë lojën në aspektin  psikologjik, me një qetësi dhe pjekuri të lartë.

Me këtë performancë të shkëlqyer, skuadra e Dritës, e cila posedon potencial dhe klas brenda grupit të lojtarëve, është shumë afër të ngathjeje me titullin e kampionit.

Pavarësisht rivalëve pretendent për titull, Drita deri në fund të këtij edicioni,  ka një orar mjaft të përshtatshëm.

Aktualisht   Drita ka pikë të barabarta me Llapin(58), kurse dy pikë me pak se i pari Ballkani(60), kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në përfundim të këtij  kampionati.

Këtë vit, “intelektualët” shumë lehtë mund  të fitojnë edhe Kupën e Kosovës, pasi që  në gjysmëfinale,  të mërkurën në Gjilan e presin  Prishtinën.

You Might Also Like