KRONIKË E ZEZË

Dyshohet se kreu vepër të dënueshme, u la të mbrohet në liri

Është ndalur për veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve e të substancave psikotrope, që janë të dënueshme sipas ligjeve të Kosovës, por i dyshuari Sh.R. do të mbrohet në liri.

Një vendim i tillë është marrë nga Gjykata Themelore e Gjilanit, Departamenti i Krimeve të Rënda që ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, që kishte kërkuar masën e paraburgimit për të pandehurin.

Në këtë çështje është mbajtur seancë dëgjimore më 03 qershor të këtij viti, pas së cilës edhe është refuzuar propozimi i Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe të pandehurit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Në bazë vendimit të marrë, i pandehuri Sh.R. nuk guxon që të largohet nga shtëpia e tij, sikurse që i është caktuar edhe ndalesa e kontaktimit me persona të tjerë dhe se nëse i pandehuri nuk i përmbahet këtij aktvendimi, ndaj tij do të caktohet masa e paraburgimit.

Në aktvendim është thënë se zbatimi i masës do të mbikëqyret nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Gjilan, të cilët edhe do të njoftonin gjykatën për cenim të mundshëm të masës nga i pandehuri.
Ndryshe, ky vendim është cilësuar si i pazakonshëm, aq më tepër që i pandehuri dyshohej se tregtonte me droga, ngase siç ishte raportuar ditë më parë te i dyshuari ishte gjetur drogë e llojit kokainë në peshën 220 gramë, që besohet se ka vlerën mbi 20 mijë euro. Ky i pandehur ishte i njohur për policinë, ngase mësohet se kishte edhe vepra të tjera penale që i kishte kryer në të kaluarën.

Burime nga Prokuroria Themelore në Gjilan bëjnë me dije se ndaj këtij aktvendimi do të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.
Në lidhje me rastin, ditë më parë në bazë të raportit të Policisë mediumet kishin bërë publike ngjarjen, ku ishte thënë se në dhomën e gjumit të të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar gjashtë paketime substancë narkotike e dyshuar për kokainë në peshë prej 220 gramë, dy peshore elektronike për matjen e substancës, një lugë dhe thikë metali, sikurse edhe gjësende të tjera të dyshimta./Radio Star/

You Might Also Like