Alma ZENELLARI
E VESHUR ME FRYMË VJESHTE
( Cikël poetic )
VJESHTA ME AROMË GRUAJE
Jam gruaja e veshur me frymë vjeshte,
sa herë fryjnë erêra të trazuara
vallëzon gjethnaja e flokëve të mi,
Thellë syve përthyhen ngjyra dhe dritë..
Jam vjeshta me aromë gruaje
Çdo ngjyrë merr formë,
Merr trajtën e një fruti që deh ëmbëlsisht…
Jam flokënajë vjeshte
grua flokëvjeshtë,
jam fruti që duarve e mbledh
e shtrydh dhe dehesh pa u penduar…
Shtrydh me gishta rruaza të kuqe gjaku,
pikturon mbi buzë
shegët lënë gjurmë , hieroglife dashurie,
gjurmët bëhen fjalë
fjalë magjike ,
ato të duhurat që zemrën e përflakin.
DO T’MË BESOJE …
Do t’më besoje nëse të them
Sa shpesh jam nisur për tek ti
Ti padyshim do t’hapje krahët
Si zogth të strukesha përsëri
Do t’ më besoje nëse të them
Aq herë jam kthyer,
aq jam penduar
Në fund të zemrës i shtrydhja lotët
Dhe zemrën time të përvëluar
Kështu të humba ditë pas dite
Sa muajt u bënë vite
Sa lule malli mbinë në sy
I vrava ëndrrat, e humba veten
Në fund të humba ty….
Do t’më besoje nëse të them
Se brenda zemrës të ruaj akoma
Thellë saj janë fjalët, pëshpërimat
puthje pendesa, çdo gjë e jona.
Do t’më besoje…?!
VJEN MËNGJESI
…,
Ti zgjohesh,
çelesh si një syth blerosh,
hapesh si një gonxhe,
Hap sytë , hap duart,
hap gojën
si një ëndërr,
buzëqesh…
e qeshura jote shndërrohet lulëkuqe,
e kaltra e syve të tu
zmadhon qiellin e shpirtit tim.
Të fus mes duarve, të marr erë,
Aroma jote bëhet ajër
mushkrive të mia.
Vjen mëngjesi
Unë i këndoj mrekullisë mes krahëve,
ndjej supeve si ulën
ketra, zogj e flutura ,
Ndjej zanën e përrallave
me pluhur magjik
dhe kënga kthehet zog,
zogu bëhet qiell,
qielli sërish këngë,
brenda gjoksit tim,
brenda gjoksit tënd
PRES HAPIN TËND TË PARË
Të mbaj në duar
Në pëllëmbët e mia,
ndjej lêkurën tënde të ngrohtë,
ndjej rrahjet e shpeshta të zemrës
dhe frikën tënde të vogël,
Sikur ta dije drenusha ime,
se trupi yt mban forcën e tokës.
Ngrij sytë e kaltër dallëndyshet presin,
Ulen në ballkon
Të shohin me ngulm,
të përshëndesin…
Prej tyre mos ki frikë
Një ci ci ci e tyre është guxim
Për ty është thjesht muzikë…
Në sqep ato mbajnë një këngë të moçme,
të moçme sa jeta vet,
ndaj hidhe hapin tënd të parë,
merr pak guxim drenusha ime,
një shteg i bardhë me dritè të pret…
Ti je një ëndërr që frymon,
ndaj kapi fort krahët e mi,
nëse rrëzohesh ti mos u tremb,
se ngrihesh përsëri…
Prej zemrës sime merre tër’ forcën,
për mua s’je as zog as flutur,
me hapin tënd do pushtosh botën,
Ti je drenusha e egër ,e bukur…
Nën hapin tënd zgjohet vet toka,
shtrohet gjelbërimi mbi lëndinë,
në grushtin tënd të vogël është forca,
në sytë e tu të qielltë është drita,
që ndjek e etur lirinë..
KËNGA E SHIRAVE TË VJESHTËS
Bien shira vjeshte,
Mbi trupin e grave të gjelbra
Lagin mallin e ëndrrave të përvëluara,
syve!
Mijëra zogj u kënduan thellë gjoksit,
brenda kraharorit të tyre
Këngë të trazuara, psherëtima,
Me mall e dhimbje ngarkuar…
Tani ky shi,
Me duar vjeshte i prek, i puth,
I josh…
Zgjon brenda tyre shpirtin e një kënge të re
Që rritet e shpërthen damarëve me furi,
Këndoni o gra,
me krahë të gjelbra,
Me gjoksin hapur drejt bregut të qiellit
me mallin e ri që ju dridhet buzëve ,
Këndoni këngën e ujit ,
që derdhet rrënjëve të tokës,
këngën e reve dhe shiut
Këngën e pyllit fletëgjerë
që nxjerr prej zemrës zogj të gjelbër,
Si Ju!




