Gjilan

Gjest humanitar i lojtarëve të FC Kosova të Cyrihut

FC Kosova nga Cyrihu ka ardhur të zhvillojë dy ndeshje miqësore në futboll në Kosovë, por lojtarët dhe kryesia e këtij klubi që tubon mërgimtarët tanë nga Kantoni i Cyrihut, përpos lojës së futbollit asnjëherë nuk e kanë harruar as vendlindjen dhe të parët e tyre. Ata po karakterit sportive, kanë edhe atë humanitarë, andaj tashti, kur ka dy ditë që po qëndrojnë në Gjilan, kanë ndërmarrë edhe një aksion humanitar për të ndihmuar familjet në nevojë.

Me nismën e futbollistit Muhamet Mustafa, me origjinë nga Zhunica e Preshevës, i cili tash e sa kohë punon në Zvicër, është vendosur që t’i dilet në ndihmë një familjeje nga Rahoviqi i Shkupit .

Muhameti, që me vëmendje përcjell zhvillimet në trojet shqiptare, thotë që të jetë prekur shumë kur kishte parë një storie të tillë në facebook, andaj bashkë me Shoqatën e Klubit FC Kosova Cyrih kishin ndërmarrë një aksion për të ndihmuar familjen e Nasuf Beqirit nga Rahoviqi i Shkupit, familje kjo që ka një fëmijë me të pamur të dëmtuar dhe operimi i të cilit kushton shumë.

“Jemi prekur shumë kur pamë një fëmijë të vogël, i cili ka nevojë të operohet në Spitalin Sistina, gjë për të cilën kërkohej një shumë e konsiderueshme të hollash, andaj bashkë me shokët u mblodhëm, grumbulluam 2200 franga zvicerane dhe 200 euro dhe ndihmuam këtë familje”, thotë Muhamet Mustafa, i cili një ditë para se të zhvillohet ndeshja ka lënë shokët e tij në Gjilan dhe ka marrë rrugë për në Shkup për të gjetur familjen Beqiri, e cila ka aq shumë nevojë për të shëruar fëmijën.

Edhe bashkëlojtarët e Muhametit këtë e vlerësojnë si një gjest shumë të mirë dhe menjëherë kishin shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë kësaj familje. Muhameti dhe shokët e tij luten për shërim sa më të shpejtë të fëmijës. Duke dëshmuar se gjithmonë do t’i gjinden pranë vendlindjes.

You Might Also Like