Një komunë në Gjermani po ndryshon rrënjësisht brenda shërbimeve të saja falë aftësive dhe vizionit të gjilanases së re, Miranda Sylejmani. Ajo tashmë ka katër vite që po punon në transferimin e sistemit të vjetër të komunës në dixhitalizim të tërësishëm të saj.
Komuna e Uelzen, me rreth 40 mijë banorë, që gjendet në Republikën e Niedersachsen në Gjermani, ka avancuar në aspektin dixhital, me shërbime për qytetarë në të gjitha fushat.
Miranda, duke parë se shërbimet e mëhershme ishin burokratike, ngadalësonin paksa punën dhe rëndonin punëtorët, i lind ideja, se kjo punë mund të bëhet më shpejtë dhe më lehtë. Në kokën e saj kishte projektuar një projekt afatgjatë se këto gjëra mund të ndryshojnë dhe gjithsesi se do të përmirësohen shumë shpejt.
Ajo në mesin e 40 kandidatëve që kishin aplikuar në pozitën e vetëm të zyrtarit për dixhitalizim në komunë përzgjidhet nga Komisioni i Posaçëm Vlerësues e Profesional. Landa, siç e thërrasin shkurt me vizionin e saj i mahnitë anëtarët e Komisionit, por edhe krerët e lartë të komunës.
Ua prezanton programin për dixhitalizim, teksa udhëheqësit komunal mbesin të shtangur nga kreativiteti dhe interpretimi i saj brilant.
Miranda, me të marrë këtë detyrë identifikon defektet e sistemit aktual dhe sakaq, përpilon një strategji të re për të dixhitalizuar në tërësi komunën. Bashkëpunon me përgjegjësit e çdo sektori të komunës dhe të IT, e këtyre të fundit ua paraqet idetë e saj, e ata më pas e konkretizojnë praktikisht.
Landa, krijon një faqe të re të komunës jo informative, por për shërbime online, në dispozicion të qytetarëve, nga të cilat shumë shërbime mund të kryhen nga shtëpia, pa shkuar fare në hapësirat e institucioneve të komunës.
Ka katër vite që kjo komunë, falë Mirandës, po ndryshon çdo ditë për së miri në dixhitalizim të saj dhe po merr kah dhe drejtim të duhur.
Ndryshe, as që mendohet ndonjë punë, ndryshim apo ide të kujt do qoftë, pa dhënë lejen dhe fjalën e fundit të Landrës në komunën e Uelzenit.
Ajo ka migruar herwt në Gjermani, qw nga klasa e dytë, ku atje mbaroi shkollën fillore dhe të mesmen. Fakultetin e Administrimit Biznesor, trevjeçar e ka kryer po në Gjermani, kurse masterin për një vit, në afat rekord dhe me sukses të lartë e ka mbaruar në Edinburgh të Skocisë. Ajo në këtë ishull të Britanisë së Madhe specializon në financa dhe menaxhment dhe realizon një përvojë të re në një gjuhë tjetër.
Pas përfundimit të specializimit punësohet në një kompani energjetike në Hanover, në pozitën menaxhere e projekteve.
Për një vit të plotë punon në këtë kompani, duke transformuar të tërën në dixhitalizim. Nga efektet e saja profesionale, kompania ngrit kapacitetet dhe zgjerohet duke blerë një firmë tjetër. Edhe aty ndikimi i Mirandës vlerësohet lartë dhe ndodhin ndryshime tepër pozitive.
Miranda është përgjegjëse për 200 punëtorë, me të cilët bashkëpunon për dixhitalizim, teksa disa komuna me 400 punëtorë, i kanë 8 menaxherë për projekte të dixhitalizimit.
Ajo, veç projekteve të dixhitalizimit është duke krijuar edhe një ekip të ri për këtë veprimtari, sepse numri i tyre duhet rritur.
Ajo thotë se ky profesion i ri është me shumë potencial, por edhe i vështirë, për shkak të ligjeve dhe punëtorëve. Kërkon kohë, durim, përkushtim, vizion dhe besim.
Vizioni i jonë, thotë Miranda, është që shërbimet qytetarëve t’ua bëjmë më të lehta, të shpejta e jo të komplikuara dhe sa më shumë që është e mundur online.
Profesionalizmi, serioziteti dhe disiplina në punë e Mirandës, ka ra në sy të shumë kompanive private e publike dhe është vërshuar me oferta nga më të ndryshme. Por ajo, për momentin i mbetet besnik komunës ku vepron dhe jeton.