Futboll

Gjilani – Prishtina, ajka e kësaj jave

E ka mposhtur Trepçën ’89, e mposhti edhe Dritën e së fundi Gjilani gjunjëzoi edhe liderin në tabelë, Feroniklin nga Drenasi. Këtyre ekipeve me nam, Gjilani ua shënoi nga një gol dhe nuk pësoi në portë të vetë, por megjithatë ekipi kuq e bardh ka treguar formë të luhatshme, ngase ka humbur disa ndeshje me kundërshtarë relativisht më të lehtë.

Gjilani po tregohet shumë i fortë me kundërshtarë të ashtuquajtur të mëdhenj, kurse pa dyshim se një ndër ta është edhe Prishtina, që momentalisht është e dyta në tabelë, menjëherë pas Feroniklit. Prishtina gjithmonë ka dalë të jetë kundërshtar shumë i fortë për Gjilanin dhe gjithmonë ekipi kryeqytetas është cilësuar favorit, por gjërat kanë ndryshuar viteve të fundit, kur Gjilani disa herë ia ka dalë ta ndalë ekipin e Prishtinës. Një gjë të tillë për pak sa nuk e bëri edhe në ndeshjen e shtyrë të xhiros së parë, kur Prishtina në fushë të vet kishte shënuar një gol edhe atë kah fundi i ndeshjes.

Kjo e shtunë pritet që të sjellë ballafaqimin e madh Gjilani – Prishtina, ndeshje që gjithsesi përfundimisht për Gjilanin ka kuptimin se ka një ekip të fortë, derisa për Prishtinën ka domethënien se është ekip që seriozisht do të luftojë për titull, ngase ekipi kryeqytetas ka mbledhur fond të mirë të pikëve, por deri më tashti nuk është treguar edhe aq bindës.

Ndeshja nis këtë të shtunë me fillim në ora 13 e 45 në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.

You Might Also Like