LAJME

Haziri: Dobërçani, Pogragja, Zhegra e Lladova, shembull i pastërtisë dhe i mirëmbajtjes së hapësirave publike

Gjilan, 2 korrik 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vlerësuar lartë fshatrat,  Pogragjë dhe Dobërçan, Zhegër e Lladovë, për organizimin e jashtëzakonshëm në mirëmbajtjen e hapësirave publike, duke qenë shembull për nivelin e lartë të pastërtisë.

“Duhet përshëndetur dhe falënderuar jashtëzakonisht shumë banorët e këtyre fshatrave për organizimin e mirë për interesin e përgjithshëm. Në aspektin e pastërtisë që nga trotuaret, rrugët, lumenjtë, varrezat etj., këto fshatra kanë një përkushtim të veçantë dhe janë model i funksionimit. Do të mbështesim gjithnjë aktivitetet e kësaj natyre. Qytetaria e këtyre vendbanimeve ka një disiplinë të lartë dhe është e vendosur në ruajtjen e ambientit dhe gjelbrimin e tij”, ka thënë Haziri.

Haziri, gjithashtu, ka falënderuar mërgatën që është gjithmonë mbështetëse e iniciativave për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe investimin në forma të ndryshme nëpër fshatrat e tyre, duke punësuar banorët dhe financuar nga shoqata “17 Shkurti” (Dobërçan), “Pogragja”, “Zhegra” dhe “2 Prilli” (Lladovë).

Ndërsa, kryetarët e këshillave, Pogragjë – Qamil Rexhepi, Dobërçan – Melush Guda, Zhegër –  Shemsedin Elezi dhe Lladovë – Florim Ajeti, kanë theksuar se gjithmonë për ta është ditë e shënuar për pastërtinë dhe ruajtjen e ambientit, duke konfirmuar se gjithçka po punohet sipas një plani dhe dinamike të caktuar gjatë tërë vitit.

You Might Also Like