Futboll

Këto janë të arriturat e kryetrajnerit Akis Vavalis me Dritën

Kishte ardhur tek Drita për t’a bërë kampion klubin bardh e kaltër, por punët po i shkojë më ndryshe. Akis Vavalis, trajner nga Greqia, me të zbarkuar në Gjilan ishte zotuar e nga gjashtë ndeshje të mbetura do të synojë gjashtë fitore, me çka titullin e kishte të sigurt. Kur e mori ekipin bardh e kaltër nga Gjilani, Drita ishte në pozitën e dytë dhe që në fillim, në ndeshjen e parë rrethanat për trajnerin Vavalis u bënë të favorshme. Ballkani që ishte lider, barazoi me Dukagjinin e Drita në fushë të vet mundi Ferizajn dhe Drita doli e para dhe gjithçka tash varej nga ekipi i Dritës, ngase më nuk varej nga të tjerët. Në xhiron e radhës, Vavalis me Dritën sërish shënoi fitore, kurse Ballkani në fushë të vet barazoi me Prishtinën dhe tashti thuajse titulli gati se ishte i sigurt, ngase Drita u shkëput. Drita po hynte në derbin me Ballkanin me një epërsi të paarritshme, ngase me fitore praktikisht po arrinte titullin, me barazim ishte shumë afër, derisa edhe me humbje çdo gjë varej nga vetë lojtarët e Dritës dhe ndodhi pikërisht kjo e fundit, Ballkani praktikisht me dy gjuajtje në portë shënoi dy herë, derisa Drita me plot raste shënoi vetëm një herë. Drita e Ballkani i barazuan pikët, kurse në situatën kur pikët janë të barabarta ishte pikërisht Drita që shpallet kampione.

Në xhiron e radhës, kur kishin mbetur edhe tri ndeshje deri në fund, Ballkani në ballafaqim me Llapin fiton minimalisht, derisa Drita ishte mysafire e Gjilanit dhe siç ka ndodhur historikisht në derbin lokal, ekipit që më shumë i duhen pikët nuk fiton. Kjo është parë edhe në ndeshjen e të dielës, kur Gjilani i shkëputi dy pikë Dritës, sa për t’a larguar nga vendi i parë e vet iu afrua te pragu Ligës së Konferencës.

Tashti, ashtu siç qëndrojnë punët në tabelë, ekipi i Dritës që drejtohet nga Akis Vavalis mund t’i fitojë dy ndeshjet e fundit ndaj Malishevës e Drenicës, por më nuk varet gjithçka nga ekipi bardh e kaltër, ngase Ballkani duhet të “rrëshqasë” në njërën nga ndeshjet, ndaj Ferizajt ose Gjilanit.

Të arriturat e Akis Vavalis deri më tash janë dy fitore, një barazim e një humbje, por a do të jenë të mjaftueshme këto rezultate për t’u shpallur Drita kampione, këtë do ta dëshmojnë dy xhirot e fundit./kryelajmi.com/.

You Might Also Like