Gjilan

Kryetari Alban Hyseni së bashku me ministrin Faton Peci kanë qëndruar në Gumnishtë: Gjithmonë përkrah bujqve në shtimin e kapaciteteve prodhuese

Gjilan, 21 mars 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, kanë qëndruar të dielën fshatin Gumnishtë, ku janë pritur nga kryetari i Shoqatës së Arrës dhe Lajthisë, Naim Rrahmani, i cili së bashku me profesorin dhe ekspertin e krasitjes, Vahid Avdiu, organizuan trajnimin praktik të krasitjes së arrës.

Me këtë rast, kryetari Alban Hyseni është shprehur se Komuna e Gjilanit është gjithmonë përkrah bujqve, në shtimin e kapaciteteve prodhuese, derisa ka fënderuar Ministrinë e Bujqësisë për mbështetjen e madhe.

Ky trajnim doli të ishte i frytshëm për të gjithë kultivuesit e arrës dhe lajthisë.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se krasitja e gabuar e fidaneve dëmton me 30% rendimentin e të gjitha kulturave pemëtare ndërsa mos-krasitja e tyre i dëmton ato me mungesë rendimenti deri në 70%.

“Këtë vit kemi rritje substanciale në kategorinë e Subvencioneve për të gjitha kulturat e njëherit kemi rritur përkrahjen për të gjithë kultivuesit e pemëve kurse përmes Granteve, do ta mbështesim ngritjen e pemishteve të reja si dhe zgjerimin e potencialit për pemishtet ekzistuese, si në kultivim ashtu edhe për përpunim”, ka thënë ai.

“Poashtu jemi zotuar se brenda mandatit tonë do ta realizojmë digjitalizimin e parcelave në mënyrë që të kemi një pasqyrë të saktë të pemishteve dhe kapacitetit të tyre në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

You Might Also Like