OPINION

Kujdes, destabilizimi i vendit sjell dëme të pariparueshme

            Protestat e qeta dhe dinjitoze të qytetarëve pas shpalljes së aktgjykimit të Tribunalit të Hagës për çlirimtarët e Kosovës shfaqen pakënaqësinë e qytetarëve të Kosovës me dënimin e atyre që në vitin 1998 dhe 1999 e luftuan shtetin okupues të Serbisë që ushtroi dhunë mbi shqiptarët në Kosovë dhe viset e tjera të ish – Jugosllavisë.

Në këto protesta morën pjesë qytetarë të Kosovës pavarësisht bindjeve të tyre politike. Për mbrojtjen e luftës së drejtë, të pastër dhe çlirimtare, si dhe pjesëmarrësve të saj, u vunë në lëvizje edhe institucionet e Kosovës. Protestat u monitoruan me kujdes edhe nga faktorët ndërkombëtarë, për të cilat nuk pati vërejtje, por ata na i përkujtuan obligimet ndërkombëtare që i ka marrë Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, kërkuan respektim të vendimeve të Gjykatës                           Speciale dhe protesta të qeta.

Prezenca e protestuesve me maska në ditët e para të protestës dhe ftesa e sotme  për tensionim të situatës, dëshmon papjekuri politike, është dashakeqe, e dëmshme për vendin dhe si e tillë nuk ju sjellë asnjë dobi çlirimtarëve që po gjykohen në Hagë.

            Përpjekja që përmes presionit të ndikohet në punën e Kuvendit të Kosovës, rrit supozimet se institucionet në Kosovë janë të ndikuara dhe nuk mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur. Si të tilla ato nuk mund të jenë të besueshme as nga ne e as nga ndërkombëtarët.

            Prandaj, protestuesit nuk duhet të bijën nën ndikimin e nxitësve të destabilitetit në vend, sepse  kjo ju shkon për shtati vetëm atyre që nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës.

            Si njëri ndër pjesëmarrësit e disa protestave të pas 16 shtatorit, ju ftoj  që ftesave të pamatura ose dashakëqija  për destabilizim të vendit, t’ ju përgjigjeni me pjekuri qytetare, distancim nga provokuesit dhe injorim të kërkesave për detabilizim.

 Të ju lejohet liderëve politik dhe deputetëve t’i bashkojnë forcat për zgjidhjen e këtij problemi dhe problemeve të tjera me të cilat po ballafaqohet vendi.

Vetëm kështu i ndihmohet vendit dhe çlirimtarëve.

You Might Also Like