LAJME

Lutfi Haziri: Gjilani ka hyrë në investimet më të mëdha infrastrukturore prej pasluftës

Gjilan, 8 gusht 2018 – Pas vizitës në lagjen e kategorive të pambrojtura, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar punimet në ndërtimin e rrugës prapa Tregut të Gjelbërt.

“Definitisht, Gjilani ka hyrë në investimet më të mëdha infrastrukturore të pasluftës. Në lagjen “Mulla Idrizi” po fillojmë me ndërtimin e katër rrugëve, pëfshirë edhe këtë prapa Tregut të Gjelbërt.  Pas ndërtimit të lartë, kjo lagje do të bëhet me infrastrukturë të plotë dhe gradualisht merr pamje krejt ky angazhim. Po punojmë me intensitet të shtuar edhe në fshatra për ta zgjidhur problemin e katërshes infrastrukturore”, ka thënë Haziri, pas vizitës në këtë rrugë të qytetit.

Gjatë vizitës së sotme, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka njoftuar se sot do të bëhet hapja e ofertave për modernizimin e Tregut të Gjelbër, duke shtuar se është inicuar edhe faza e dytë e ndërtimit të shëtitores mbi lumin “Mirusha”

Drejtori për Shërbime Publike, Naser Korça, ka njoftuar se po punohet në infrastrukturën rrugore në Selishtë, Bresalc, lagjen “Fehmi Agani”, rrugët në drejtim të Malishevës, duke shtuar se ka bërë inicimin edhe për dy projektet tjera për ndërtim të rrugëve në lagjen “Arbëria” dhe rrugën nga Livoçi e deri tek “Konsoni”.

Korça ka konfirmuar se të enjten do të bëhet hapja e ofertave për ndërtimin e Rrugës së Kumanovës, projekt ky të cilin e ka fituar Komuna e Gjilanit nga organizata zvicerane DEMOS dhe MAPL për performancën e mirë të vitit 2016.

Ndërkohë, kreu i Gjilanit ka paralajmëruar se do të filloj edhe ndërtimi i rrugës që çon deri tek “Moea”, biznes ky që i ka krijuar brend këtij qyteti.

Haziri, në fund ka apeluar ndërtuesit në Gjilan që të kujdesen për infrastrukturën duke mos e dëmtuar atë.

“Sipas ligjeve në fuqi, ndërtuesit janë të obliguar ta ndërtojnë hapësirën e përbashkët dhe ato pjesë ku i kanë dëmtuar programet e Komunës. Ka ardhur koha që ndërtuesit tek Mulliri i Vjetër ta ndërtojnë hapësirën e përbashkët sikur këtu që është shembulli i mirë”, përfundoi Haziri.

You Might Also Like