Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimeve maratonike me kryeministrin Isa Mustafa, i cili vizitoi këtë Komunë dje, ka thënë se përfundimisht Gjilanit i është kthyer fuqishëm përkujdesja e qeverisë në investime.
“Nëse dikur ky vend ka qenë i harruar e i anashkaluar e anashkaluar, sot gjendja është krejtësisht ndryshe. Gjilanit iu rikonfirmua edhe njëherë mbështetja e fuqishme e Qeverisë së Kosovës sa i përketë investimeve në infrastrukturë dhe nw fushat tjera. Pos kësaj, e kemi edhe mbështetjen e fuqishme të donatorëve dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të ndodhin investimet milionëshe në rehabilitimin e lumenjve, “Mirusha” e “Stanishorka”, duke zgjidhur përgjithmonë problemet me lloç e vada. Përfundimisht, gjilanasve i është kthyer dinjiteti”, ka thënë Haziri pas takimeve të shumta me kryeministrin Mustafa.
Ndërkohë, kreu i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, është zotuar për mbështetjen e fuqishme ndaj Gjilanit, kryesisht në infrastrukturë, duke paralajmëruar edhe fillimin e autostradës Gjilan-Prishtinë në fillim të vitit të ardhshëm.
Ai ka thënë se krejt këto investime po ndodhin në Gjilan për shkak se kjo Komunë është tatimpaguesja më e madhe pas Prishtinës dhe shkaku i disiplinës së ashpër buxhetore që është vendosur në këtë Komunë nga ana e Lutfi Hazirit.
Përndryshe, kryetari Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, fillimisht ka pritur në zyrën e tij kryeministrin Isa Mustafa dhe ekipin e tij, për të vazhduar me vënien e gurthemelit për QKMF-në, derisa kanë vizituar edhe Universitetin “Kadri Zeka”, kazermën e Batalionit të Parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkaq në fund kanë zhvilluar një drekë pune me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës Lindore.