Lutfi Haziri: Heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë
Në Gjilan edhe zyrtarisht ka nisur Manifestimi Shumëkulturor “Flaka e Janarit 2021”, që është edicioni jubilar i 30-ti me radhë. Manifestimin e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili në hapje pasi ka përmendur të gjitha përpjekjet për liri në janarët e kuq ndër vite, ka theksuar se pikërisht 30 vite më parë nisi rrugëtimin “Flaka e Janarit”, kurse nga ky vit ky manifestim hynë në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe vendoset në kalendarin kombëtar të aktiviteteve.
Haziri ka thënë se heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë, se si kryengritet për të drejta e për liri.
“Të vazhdojmë bashkë, pa dallime, për një qëllim, për një atdhe, për një komb e një flamur, sepse edhe hapin e fundit na duhet ta bëjmë bashkë dhe atë hap nuk duhet ndalë për ta quar vendin përpara”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, që ka shtuar se sivjet në kushte pandemie, ky teatër do të ofrojë kulturë e respekt, por gjithnjë vlera të mirëfillta kulturore.
Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës në Qeverinë e Kosovës, ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve që sollën lirinë, duke shtuar se ky manifestim mbledh artistë nga të gjitha trevat shqiptare, është manifestim i vlerave, andaj duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë.
Sipas Dumoshit, “Flaka e Janarit” meriton mbështetje të Ministrisë.
Për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, të cilit i është kushtuar manifestimi i sivjetmë, ka folur atdhetari Bejtullah Tahiri, i cili ka thënë se ndër vite kjo datë e ka gjetur në Zagreb, Shqipëri e Zvicër, por gjithnjë është shënuar në mënyrë dinjitoze. Që nga vrasja tinëzare e heronjve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla shpirtërisht gjenden në zemrat e çdo shqiptari.
“Kadri Zeka u brumos me ide patriotike që nga rinia, ai bashkëpunoi me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe si studentë pati veprimtari në lëvizjen për çlirim, derisa në mërgim pos që publikoi në revista të ndryshme, ai se bashkë me vëllezërit Gërvalla bëri përpjekjet për bashkim të lëvizjes së shkapërderdhur në mërgim si dhe për pavarësimin e klubeve shqiptare në mërgim”, theksoi Bejtullah Tahiri, duke shtuar se pas demonstratave të vitit 1981, ai organizoi demonstrata në Evropë, internacionalizoi çështjen e Kosovës në botë. Ai dha shembullin më të mirë për bashkim.
“Vrasje e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë tek populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri.
Në emër të familjes së Kadri Zekës, ka folur Izmi Zeka, që tha se u bënë 39 vite kur ranë Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, 37 vite kur ranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe kur vite e vite kur ranë shumë heronjë duke dëshmuar se Gjilani dhe Anamorava ishte qendër e veprimtarisë patriotike në Anamoravë.
“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë vetën tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Izmi Zeka.
Në manifestimin jubilar, të 30-tin me radhë janë nderuar familja e heroit Kadri Zeka për kontributin për lirinë e shqiptarëve, dy nga themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku, post mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik u nderua Beqir Musliu si dhe Filharmonia e Kosovës.
Në koncertin artistik është paraqitur Filarmonia e Kosovës.