Sportet me dorë

Mexhit Devaja shpreh pikëllimin për humbjen e mikut dhe bashkëpunëtorit, Izet Gjinovci

Ish-Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Mexhit Devaja, ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për humbjen e sekretarit gjeneral, Izet Gjinovci, i cili ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare. Në një mesazh prekës përkujtimor, Devaja shkroi: “Është e dhimbëshme të shkruaj fjalë mortore për ty miku im Izet, ishe shok, mik e udhërrëfyes i rrugëtimit tonë 25 vjeçar. Ndihem i pikëlluar por shumë krenar e i lumtur që ishe pjesë e jetës sime. Pusho i qetë miku im!”. Izet Gjinovci, sekretari gjeneral i Federatës së Hendbollit të Kosovës, ka qenë një figurë e shquar dhe një simbol i hendbollit kosovar. Kontributi i tij për zhvillimin e këtij sporti është kolosal dhe do të mbahet mend përkushtimi dhe pasioni i tij deri në fund të jetës së tij. Gjinovci ka shërbyer si sekretar gjeneral i FHK-së prej vitit 2002, duke udhëhequr procesin e lobimit ndërkombëtar së bashku me presidentin e nderit të FHK-së, Mexhid Devaja. Një nga arritjet e tij më të mëdha ishte pranimi i FHK-së në Federatën Evropiane të Hendbollit me të drejta të kufizuara në vitin 2004, duke i mundësuar klubeve kosovare të marrin pjesë në gara evropiane. Gjinovci ka qenë një figurë kyçe në hendbollin kosovar dhe një shembull i përkushtimit dhe pasionit për sportin, duke e çuar përpara hendbollin kosovar me sukses të plotë deri në ditën e fundit të jetës së tij.

You Might Also Like