Gjilan

Mulla Idriz Gjilani luftëtar i paepur për çlirim e bashkim kombëtar

Isa Mullaidrizi, tashti mësimdhënës në pension, ishte i vogël kur i ishte ekzekutuar babai. Mbi 68 vite më pas, në njërën nga dhomat e shtëpisë, ai me xhelozi ruan gjithçka që ka të bëjë me babanë e tij. Aty mund të gjenden, fotografi të vjetra, dokumente, portrete nga më të ndryshme, libra në gjuhë të ndryshme botërore, lëvdata, mirënjohje, plaketa, gjësende e shumëçka tjetër që ka të bëjë me Mulla Idriz Gjilanin, luftëtarin e paepur për lirinë e shqiptarëve, i nderuar nga presidentja e Kosovës, nga presidenti i Shqipërisë, njeri që është futur në radhët e 100 personaliteteve nga mbarë bota që lanë gjurmë në histori.

Në nëntëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, zyrtarë të Muzeut të Gjilanit dhe të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore kanë vizituar familjen e pasardhësve të Mulla Idriz Gjilanit dhe i kanë bërë një vizitë minimuzeut, të ngritur nga djali i Mulla Idriz Gjilanit, Isai, i cili nuk la vend pa kërkuar të dhëna për babanë e tij, sikurse që ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të gjejë eshtrat e babait, të ekzekutuar në vitin 1949 nga forcat sllavo-komuniste, që kryetrimin e komandantin Mulla Idriz Gjilani e kishin parë si njeri të rrezikshëm për krijesën e quajtur Jugosllavi komuniste.

Mulla Idriz Gjilani, pos si prijës fetar, ishte shquar edhe si prijës ushtarak, luftëtar i paepur për çlirim e bashkim kombëtar, andaj duke pasur besim të madh tek popullata ishte vënë në ballë të popullit në luftën për liri.

Djali i tij, Isai, teksa shpjegon për eksponatet që ka në minimuze, për secilin nga eksponatet ka nga një histori në vete, edhe për dokumentet që me mund i nxori nëpër arkiva, për fotografitë e sjella nga Sarajava, për mijëra kilometra të bëra deri në Izmir të Turqisë për të marrë një fotografi të babait dhe të nënës, për dhjeta libra të mbledhë edhe në gjuhët arabe e hinduse, për librat fetarë që i kishte përdorur babai, dy palë tespihet e tij, qindra lëvdata që iu ndanë babait të tij nga një cep i botës e deri në tjetrin, për shumë shkrime nëpër gazeta, revista e punime shkencore dhe për shumë eksponate të tjera.

Xhylishene Berisha, drejtoreshë në Muzeun e Qytetit të Gjilanit, thotë se edhe muzeu do të ketë këndin e figurave të shquara kombëtare, në mesin e tyre vend me rëndësi zë Mulla Idriz Gjilani, derisa ngjashëm shprehet edhe Ismet Tafili, zyrtar në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan.

Mulla Idriz Gjilani lau borxhin që kishte për atdheun dhe popullin e vet, duke dhënë edhe jetën, por a iu dol hakut veprës së Mulla Idriz Gjilanit, emrin e të cilit e mbajnë shumë rrugë anekënd Kosovës, sikurse edhe Shkolla e Velekincës. Gjithsesi se Gjilani duhet t’a nderojë Mulla Idriz Gjilanin me një përmendore në këtë qytet, duke ua rikujtuar qytetarëve e vizitorëve veprën dhe heroizmin e këtij prijësi të shquar shqiptar.

You Might Also Like