LAJME

Mustafa e Haziri takojnë kryetarët e komunave të Kosovës Lindore

Pas vizitës në Komunën e Gjilanit, vënies së gurëthemelit të QKMF-së, vizitës në Universitetin “Kadri Zeka” e në kazermën e Batalaionin e Parë të FSK-së, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, së bashku me kryetarin Lutfi Haziri, kanë takuar kryetarët dhe udhëheqësit e komunave të Preshevës, Bujanocit, Medvegjës dhe Këshillin Nacional të shqiptarëve atje, përkatësisht Jonuz Musliu, Shaip Kamberi e Ardita Sinani.

“Kryeministri ka kërkuar edhe nga unë personalisht, që si kryetar i Komunës më të madhe në regjion, të kujdesem dhe angazhohem në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërkomunal për Prshevën, Bujanocin dhe Medvegjën sepse është interes i përbashkët dhe jetik që qytetarët të jetojnë atje, e të mos lëvizin në drejtim të Kosovës. Të shkollohen, të kontribuojnë dhe të kthehen në vendin e tyre”, ka deklaruar pas takimit kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ndërsa, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur se takimet e tilla mungojnë ne nivel qendror, duke vlerësuar lartë takimet e mëhershme të regjionit të organizuara nga Komuna e Gjilanit, për të cilat tha se janë arritur rezultate të mira.

“Vërtetë mund të them se neve na mungojnë takime të tilla në nivel qendror. Ka pasur takime të përbashkëta në Komunën e Gjilanit dhe me këtë regjion dhe mund të them se janë arritur rezultate të mira sepse është krijuar një komunikim. Ne jemi të interesuar që edhe më tutje ta thellojmë bashkëpunimin. Është e drejtë e jona që të ndihmojmë për zhvillimin  ekonomik, arsimor e kulturor sepse ne jetojmë në Europë dhe karta europiane dhe e qeverisjes lokale përmban në vetëvete edhe këtë formë të bashkëpunimit”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, kanë falënderuar kryeministrin Mustafa dhe kryetarin Haziri për takimin, duke thënë se ky takim ishte shumë i frytshëm, inkurajues dhe motivues për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

You Might Also Like