Me një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës të të riut Dren Ukshini, ka nisur ndeshja në mes të Dritës dhe Prishtinës, e vlefshme për pikë, por shumë domethënëse për titullin e kampionit në Superligë. Dren Ukshini kishte ndërruar jetë pas një sëmundje të rëndë dhe është varrosur në Varrezat e Qytetit në Gjilan.
Ndeshja ka nisur furishëm nga të dy anët, kurse portierët që në fillim janë treguar të vëmendshëm dhe kanë evituar gjuajtjet që kryesisht ishin nga largësia.
I pari ka rrezikuar Xhevdet Shabani nga një gjuajtje dënimi, e cila ishte nga anash, por që portieri Nika i Prishtinës e grushtoi Xh. Shabani. I njëjti lojtar në minutën 11, harkoi nga e djathta dhe për pak sa Krasniqi nuk shënoi autogol.
Xh. Shabani edhe në minutën 15 harkoi nga e djathta, por Nika sërish e grushtoi topin. Pas këtyre sulmeve, Drita ia ka dalë që të shënojë në minutën 21, pasi është shërbyer nga Fazliu dhe me të shpejtë ka shpërthyer nga e majta në drejtim të pikës së bardhë dhe prej aty me një gjuajtje të bukur për tokë ia ka dalë të mposht portierin Nika për 1:0.
Rezultati është barazuar në minutën 35, kur Endrit Krasniqi ka harkuar nga e majta dhe topi që ka shkuar afër kokës së Mankendas është përplasur në shtyllën e djathtë të Malokut dhe prej aty është futur në rrjetë.
Në minutën 49, Besnik Krasniqi qëlloi në këndin e poshtëm të djathtë, por i sigurt u tregua faton Maloku. Portieri i Dritës shpëtoi gol të sigurt në minutën 53, kur pas shpërthimit të Mankendës nga e djathta, i cili shërbeu B. Krasniqin e ky harkoi në brendi nga pika e penaltisë gjuajti E. Krasniqi, por Maloku u hodh në këndin e poshtëm të majtë dhe shpëtoi golin.
Prishtina shumë më mirë ka luajtur në pjesëlojën e dytë dhe pas një harkimi të Gledi Micit nga e majta në brendi më së larti u shkëput Zyba që sapo hyri në lojë dhe qëlloi topin me kokë, por topi që u përplas për tërthorëse ra mu në vijën e portës, por pa e kaluar atë. Në minutën 68, Drita kërkoi penalti, ngase Zyba i Prishtinës luajti me dorë në brendi, por gjyqtari heshti.
Në minutën 71, Prishtina ka shënuar edhe goli e dytë nëpërmjet Besnik Krasniqit, kur pas një shpërthimi dhe harkimi nga e majta, Limani e dëboi topin shkurtazi me kokë në anën e djathtë e aty u gjet Besnik Krasniqi, i cili e futi topin në këndin e poshtëm të majtë të Malokut.
Ndeshja u mbyll me rezultat 1:2. Kryelajmi.com