Gjilan

“Takimet e Pogragjës 2026” – një ditë kushtuar kujtesës, dijes dhe vendlindjes

Këtë fundjavë, në Shkollën Fillore “Liria” në Pogragjë, u mbajt manifestimi kulturor, përkujtimor dhe promovues “Takimet e Pogragjës 2026”.
Manifestimi u hap me një solokëndim me motive mërgimi nga tenori i njohur pogragjas Luan Durmishi, interpretimi i të cilit i dha programit një fillim të veçantë artistik dhe emocional.
Në fjalën hyrëse, Bujar Salihu theksoi lidhjen e pandashme të njeriut me vendlindjen, si dhe përgjegjësinë që secili prej nesh ka ndaj saj. Në cilësinë e organizatorëve, me fjalë përshëndetëse u paraqitën Shpresa Hyda, kryetare e Shoqatës “Pogragja”, dhe Avdil Islami, koordinator i manifestimit, kryetar i Këshillit të Fshatit dhe njëkohësisht drejtor i shkollës.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, znj. Krenare Latifi-Kqiku.
Pjesa e parë e manifestimit iu kushtua jetës, veprës dhe kontributit të profesor dr. Nuhi Rexhepit dhe profesor Sherafadin Kadriut, dy personaliteteve që, me punën dhe përkushtimin e tyre në arsim, kulturë dhe dije, lanë gjurmë të pashlyeshme.
Për jetën dhe veprimtarinë e profesor dr. Nuhi Rexhepit foli profesor Xhafer Xhaferi, ndërsa për figurën dhe krijimtarinë e profesor Sherafadin Kadriut foli shkrimtari Sabit Rrustemi.
Përmes kumtesave dhe kujtimeve të paraqitura u vlerësua kontributi i tyre si mësimdhënës, intelektualë dhe njerëz të përkushtuar ndaj vendlindjes. U theksua se ndikimi i një mësuesi dhe krijuesi nuk përfundon me largimin e tij fizik, por vazhdon të jetojë te nxënësit, lexuesit dhe bashkëpunëtorët, si dhe në veprat që ai lë pas.
Në emër të familjes së profesor Nuhi Rexhepit foli Fatmir Rexhepi, ndërsa në emër të familjes Kadriu të pranishmit i përshëndeti Yll Kadriu, djali i profesor Sherafadin Kadriut.
Saranda Kadriu, vajza e profesor Sherafadin Kadriut, recitoi poezinë e të atit, “Shqipëria e mësues Nazimit”, kushtuar mësuesit të paharruar pogragjas Nazim Limoni.
Pjesa e dytë e manifestimit iu kushtua promovimit të tri veprave të autorëve pogragjas, të cilat trajtojnë historinë, kujtesën dhe trashëgiminë e vendlindjes.
U promovua vepra “Shënime historike për Kosovën” e profesor dr. Femi Rexhepit, për të cilën foli dr. Fitim Rifati.
Për monografinë “Pogragja ndër shekuj” të profesor Xhafer Xhaferit foli profesor dr. Femi Rexhepi, ndërsa veprën “Toponimet e vendlindjes sime” të profesor Izeir Hydës e paraqiti Bujar Salihu.
Në prezantimet e tyre, folësit vlerësuan punën kërkimore dhe përkushtimin e autorëve në dokumentimin e historisë, ngjarjeve, personaliteteve dhe emërvendeve të Pogragjës.
Edhe autorët e veprave patën rastin t’i përshëndesin të pranishmit dhe të shprehin mirënjohjen e tyre ndaj organizatorëve, folësve dhe pjesëmarrësve.
Gjatë manifestimit u paraqitën edhe pika muzikore, interpretimi në flaut nga motrat Mira dhe Arzije Rifati, i cili i dha programit një frymë të veçantë artistike.
Një falënderim i veçantë iu kushtua edhe dy punëtorëve të palodhshëm të Shoqatës “Pogragja”, të cilët, me angazhimin, përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre, dhanë një kontribut të çmuar që përgatitjet dhe mbarëvajtja e manifestimit të realizoheshin në mënyrën më të mirë.
Organizatorët shprehën dëshirën që “Takimet e Pogragjës” të mos mbeten vetëm një ngjarje e një dite vere, por të shndërrohen në një traditë të përvitshme dhe të qëndrueshme.
Synimi është që ky manifestim të bëhet një hapësirë ku pogragjasit mblidhen për të përkujtuar personalitetet e tyre, për të promovuar librin, dijen, poezinë, muzikën dhe krijimtarinë, por edhe për t’i afruar brezat dhe për t’i forcuar lidhjet ndërmjet vendlindjes dhe mërgatës.
Manifestimi u përmbyll me falënderime për të gjithë pjesëmarrësit dhe me një koktej rasti, gjatë të cilit të pranishmit vazhduan bashkëbisedimin në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.

You Might Also Like