Futboll

Te Vllaznia ngjallen shpresat për mbijetesë

Ka mjaftuar një fitore në fund të gjysmësezonit dhe te Vllaznia e Pozharanit janë ngjallur shpresat për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar. Që prej se e kishte mposhtur kampionin në fuqi Trepçën ’89, Vllaznia e Pozharanit nuk dinte se çka është fitorja, por tashti ka ardhur edhe fitorja e dytë edhe atë ndaj konkurrentit të drejtpërdrejtë për largim nga elita, Flamurtarit nga Prishtina. Në fund të ndeshjes rezultati ka figuruar 2:0, në një ndeshje që është zhvilluar në një teren të rënduar në Gjilan, nga shkaku se reshjet e mëdha të shiut kishin rënduar tej mase stadiumet në vendin tonë, por ai i Gjilanit kishte bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ta pritur këtë ndeshje.

Goli i parë për vendas ka ardhur në minutën 20, kur pas një dominimi në fushë ka shënuar Festim Krasniqi.

Dhjetë minuta më pas, Alidema i vendasve qëlloi pingulen me një gjuajtje të fortë, kurse pak para se të mbyllej pjesa e parë, Vllaznisë iu anulua një gol me motivacion se lojtarët e saj ishin në pozitë jashtë loje.

Vendasit fitoren e siguruan në minutën 79, kur Maliq Beluli ka realizuar edhe golin e dytë për skuadrën e Vllaznisë dhe praktikisht mbyll këtë ndeshje.

 

You Might Also Like