Kryetarit të komunës z. Lutfi Haziri, nuk i kanë mjaftuar projektet për këtë gjashtë mujor, për të cilin ka raportuar sot, pa e ngarkuar edhe me projekte sidomos të investimeve kapitale, që janë realizuar vite më parë.
I vetëdijshëm se brenda kësaj periudhe janë realizuar edhe projekte të nevojshme që janë të interesit publik dhe të qytetarëve, megjithate janë evidentuar mangësi për të cilat unë kam shfaqur pakënaqësi duke dhënë vërejtjet e mia si anëtar i Kuvendit, sikundër dhe vlerësim pozitiv të punës së disa drejtorive përkatëse.
Sidomos bien në sy disa projekte që janë zvarritur duke e tejkaluar edhe planin dinamik të realizimit, e që janë riprogramuar për tetor të këtij viti, mu në muajin e zgjedhjeve komunale, siç është edhe ujësjellësi në Verbicë, në mesin e disa projekteve të tjera për të cilat, siç thuhet në raport, do te realizohen pikërisht në tetor.
Ndërkaq, te prezentimi i punës së drejtorive komunale, në raport mungon krahasimi i realizimit të planit me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, me përjashtim të drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, dhe të asaj për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (e ndonjë tjetër, që mund të më ketë ikur së analizuari), të cilat aktivitetet e tyre i kanë prezentuar me kompetencë e me korrektësi edhe përmes pasqyrës tabelare të realizimit në krahasim me periudhën e njejtë të vitit paraprak.
Shefik Surdulli /këshilltar komunal nga PDK Gjilan