Gjilan

Zona të lira ekonomike për Gjilanin

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori për Zhvillim  Ekonomik, Agim Zuzaku, ka pritur sot në takim pune ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Pasi e ka falënderuar për vizitën, kryetari Lutfi Haziri e njoftoi minitren Bajrami me të arriturat e Komunës në përgjithësi dhe me krijimin e lehtësirave të të bërit biznes dhe me mbështetjen që i ofrojnë bizneseve gjilanase.

Në këtë takim është diskutuar kryesisht për funksionalizimin e dy zonave të lira ekonomike, njëra që do t’i shërbej regjionit e Anamoravës dhe tjetra që është enkas për bizneset gjilanase.

“Biseduam me ministren Bajrami, përveç tjerash, edhe për nevojën e funksionalizimit të zonave të lira ekonomike për Anamoravë, e cila mund të përfshinte edhe komunat nga brezi kufitar dhe ndër-kufitar mes Kosovës dhe vendeve në regjion, ku përfshihen 17 komuna. Mbi të gjitha, prioritet i kemi investitorët dhe bizneset që kanë mundësi dhe potencial për zhvillim të zonës sonë”, ka thënë Haziri.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e falënderoi kryetarin Haziri për pritjen dhe për bashkëpunimin e mirë e në kontinuetet të Komunës me këtë dikaster qeveritar.

“Ne jemi në një fazë shumë të avancuar në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilët do ta bëjnë ndërtimin e këtyre zonave ekonomike. Biseduam me kryetarin Haziri që sa më shpejt të bëhet ndarja e një parcele, pronë komunale për krijimin e dy zonave të lira ekonomike, njëra që do t’i shërbej rajonit të Anamoravës dhe tjetra që do t’iu shërbej enkas bizneseve gjilanase. Si MTI, i kemi top prioritet investimet në zonat ekonomike në bashkëpunim me BERZH’in”, ka thënë ministrja Bajrami.

Përndryshe, takimi i sotëm i ka paraprirë konferencës informuese për Zhvillimin e Sektorit Privat e cila po mbahet në Gjilan, e organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

 

 

You Might Also Like