ARSIMI

NË VIGJILJE TË 28 NËNTORIT – DITËS SË FLAMURIT NË GJIMNAZIN NATYROR “XHAVIT AHMETI” U MBAJT PROGRAM KULTUROR-ARTISTIK

Në vigjilje të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” u mbajt program kulturor-artistik

 

Në vigjilie të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” u mbajt program kulturor-artistik i organizuar dhe i ideuar nga udhëheqësja e nxënësve të shkollës.

Fillimisht kori i nxënësve ka kënduar Himnin e Flamurit.

Ky program është organizuar nga vetë nxënësit edhe atë në një kohë të shkurtër e në të cilin fillimisht nxënësja Andolena Veseli, kryetare e Këshillit të Nxënësve dhe njëherit edhe udhëheqëse e programit, ka theksuar se kjo ngjarje e madhe për kombin tonë gërsheton ngjarje të shumta, duke mbetur simbol i bashkimit e unitetit, lidhjes, krenarisë qëndresës. Sakrificës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar.

Ajo në mënyrë kronologjike foli për kthimin e Skënderbeut në Krujë, ngritjen e flamurit të Principatës së Kastriotëve, rezistencën ndaj Perandorisë Osmane, foli për Rilindjen Kombëtare dhe përpjekjen e rilindëseve, por edhe për ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë nga Ismail Qemali me bashkëpunëtorë.

“Kjo datë është edhe datëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari” dhe dita e daljes publike të UÇK-së, andaj 28 Nëntori i dha shpirt e lavdi historisë sonë”, ka thënë Andolena Veseli, duke shtuar se u përkulemi të gjithë atyre që luftuan dhe flijuan veten për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë.

Me një fjalë rasti është paraqitur edhe zëvendësdrejtori i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, Agim Asllani, i cili ka theksuar rëndësinë që ka kjo ditë për popullin tonë e më pas nxënës pjesëmarrës i kanë kënduar kësaj dite, kanë deklamuar poezi e kanë shfaqur pjesë skenike të krijuara vetë e në të cilat temë kryesore ka qenë Flamuri Kombëtar dhe dita e bekuar e 28 Nëntorit, e cila kishte edhe protagonistët e saj.

Në këtë shkollë po qëndron e hapur edhe ekspozita me punimet e nxënësve tanë me punimet e përzgjedhura nga profesoresha Magbule Xhemajli.

 

You Might Also Like