Gjilan

Lutfi Haziri: LDK është parti e anëtarësisë së saj e jo e funksionarëve

LDK në Gjilan vazhdon debatin e brendshëm dhe konsolidon përgatitjet për zgjedhjet e brendshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, po vazhdon procesin e diskutimeve të brendshme dhe koordinimit me strukturat partiake, me synim forcimin e organizimit dhe përcaktimin e prioriteteve politike për periudhën në vijim.
Pas takimit me Kryesinë e Degës, diskutimet kanë vazhduar me Grupin e Këshilltarëve Komunalë dhe kryetarët e nëndegëve, ndërsa gjatë javës së ardhshme ky proces do të shtrihet edhe në strukturat e tjera të LDK-së në Gjilan.
Në konferencën e sotme, kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka theksuar rëndësinë e përgatitjeve të hershme për zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat duhet të karakterizohen nga demokracia e brendshme, përfshirja, mobilizimi dhe forcimi i strukturave.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve i është kushtuar edhe rolit të LDK-së në opozitarizmin komunal, përgjegjësisë për të adresuar shqetësimet e qytetarëve dhe ndërtimit të një alternative serioze qeverisëse për Gjilanin.
LDK në Gjilan mbetet e përkushtuar që, përmes angazhimit politik dhe organizativ, të ndërtojë një gjeneratë të re politike, e cila do ta vazhdojë misionin për një Gjilan të zhvilluar, me perspektivë të qartë ekonomike, institucionale e shoqërore dhe me rol të fuqishëm si qendër rajonale.
Ky proces nuk është vetëm përgatitje organizative për zgjedhjet e brendshme, por edhe një mundësi për ripërtëritje, bashkim dhe fuqizim të LDK-së, duke krijuar hapësirë për energji të reja, ide të guximshme dhe përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen e Gjilanit.
Jemi në javen kur, më 21 nëntor shënohet 30-vjetori i ndarjes nga jeta të prof. dr. Xhavit Ahmetit. Gjilani, Anamorava, shqiptarët ia kanë per borxh vlerësimin dhe përkujtimin këtij burri të madh të kombit. Angazhimi i tij për liri, Pavarësi e Demokraci duhet të vlerësohet e nderohet.

You Might Also Like