Pas pjesës së parë të ndeshjes Llapi – Gjilani që po luhet në Podujevë, mysafirët nga Gjilani janë në epërsi me rezultat 2:0, me dy gola të shënuar me kokë nga Oltion Bilalli.
Ndeshja nisi keq për Gjilanin, ngase që në minutën e katërt është lënduar Bleart Tolaj dhe u desh që të zëvendësohet me Robert Rrahmanin. Në minutën e gjashtë Gjilani ia ka dalë që të shënojë, por Mevlan Zeka u vërejt se ishte në pozitë jashtë loje. Gjilani ka rrezikuar edhe në minutën e tetë, kur kapiteni Thaqi gjuajti nga rreth 17 metra, por topi për pak fërfëlloi jashtë pingules së majtë të portës së Llapit. Në minutën e dhjetë Arbër Potoku me një gjuajtje shumë të mirë qëlloi shtyllën e brendshme, por çuditërisht topi nuk e kaloi vijën e portës dhe është kthyer në fushë e në minutën 18 provoi edhe Boshnjaku, por topi shkoi mbi portë.
Në minutën 22, Gjilani ka shënuar një gol shumë të bukur, kur nga e majta për mrekulli ka harkuar Arbër Potoku e Oltion Bilalli me gjuajtje të bukur me kokë ka qëlluar këndin e djathtë të portierit holandez, Tein Troost.
Llapi për herë të parë ka provuar me Fiton Ademin në minutën 39, por topi ka shkuar mbi portë, kurse në minutën 41 sërish ka shënuar Oltion Bilalli dhe sërish me kokë, pasi që kësaj here është shërbyer nga Armend Thaqi. /kryelajmi.com/.




