Federata e Futbollit e Kosovës u ka dhuruar së fundmi disa klubeve kosovare reflektorë si donacion, për t’u mundësuar skuadrave zhvillimin e ndeshjeve nën dritën e tyre. Ky donacion i FFK-së po i ndihmon jashtëzakonisht shumë klubet si në aspektin financiar, ashtu edhe në rritjen e cilësisë së përgjithshme brenda tyre. Nga ky donacion ka përfituar edhe qyteti i Gjilanit, përkatësisht SC Gjilani dhe FC Drita, të cilat tashmë do t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre nën dritat e reflektorëve në stadiumin sintetik.

Infrastruktura përcjellëse për funksionimin e këtyre reflektorëve është mbështetur nga Komuna e Gjilanit, por një ndihmesë shumë të madhe ka dhënë edhe vetë klubi i SC Gjilanit. Nga ana tjetër, FC Drita nuk ka marrë pjesë në vendosjen e tyre, pasi sipas të gjitha gjasave, ky klub do të transferohet së shpejti në kampin e tyre të ri në kodrën e fshatit Livoq, ku punimet janë në përfundim e sipër. SC Gjilani do t’i vazhdojë garat në stadiumin sintetik, gjë që do të jetë një lehtësim i madh për fushën, ndërsa të dyja skuadrat tani do të kenë një akomodim shumë më të mirë për të vazhduar garat e tyre.

Sipas burimeve brenda një muaji në fushën sintetike pritet të rregullohet edhe një tribunë me kapacitet për rreth 1,500 shikues. Kjo do t’u japë mundësinë tifozëve të flaktë të SC Gjilanit, “Skifterave”, që t’i rikthehen fuqishëm skuadrës së tyre të zemrës falë plotësimit të këtyre kushteve. Edhe kjo tribunë do të rregullohet nga Komuna e Gjilanit, duke u shndërruar në një ndihmë jetike për momentin, sidomos kur dihet fati i stadiumit të qytetit të Gjilanit, ku punimet po zvarriten tash e 7 vite dhe ende nuk shihet drita në fund të tunelit.
Pas këtij realizimi të rëndësishëm qëndron puna e palodhur e inxhinierit që montoi reflektorët në një afat rekord dhe në mënyrë tejet profesionale me ekipin e tij. Bëhet fjalë për 33-vjeçarin Edon Shkodra. Ndonëse i ri në moshë, ai ka pas vete një bagazh të madh të punës profesionale dhe kudo që ka punuar ka lënë gjurmë të thella në cilësi. Inxhinieri i ndërtimtarisë dhe hidroteknikës kishte punuar si inxhinier në Komunën e Gjilanit. Puna e tij nuk mbeti pa u vërejtur dhe ai u punësua në kompaninë prestigjioze “EL BAU”, ku po jep një kontribut të madh.
Për punën e tij aktuale, Shkodra shprehet mirënjohës ndaj kompanisë dhe udhëheqësit të saj. “Është një nder i veçantë që dijen time ta shfrytëzoj në një kompani siç është EL BAU. Është një fat i madh që kemi një udhëheqës si Fatlum Pireva, i cili për të mirën e këtij populli jep gjithçka që mundet, si në anën ekonomike, sportive dhe atë humanitare. Jemi një kompani ku të gjithë jemi të barabartë pa dallim, japim kontributin tonë pa asnjë hezitim, dhe për këtë e falënderoj çdo punëtor që është vigjilent në detyrat e ngarkuara,” thekson Shkodra.
Ai thekson se ndihet me fat që pati mundësinë të montojë për herë të parë reflektorët me gjithë infrastrukturën përcjellëse në stadiumin sintetik të Gjilanit. “Është dashur një punë e madhe ekipore për t’i aftësuar këta reflektorë, të cilët kanë kushtuar mjaft shtrenjtë, deri te ndezja e tyre. Qyteti i Gjilanit tani, për herë të parë, ashtu si në shumë shtete perëndimore, do të ketë mundësi që klubet e zemrës t’i përcjellë nën dritën e reflektorëve. Kur e sheh se puna jote po jep rezultate ndihesh krenar dhe kjo të shërben si një shtytje edhe më e madhe për të punuar për të mirën e qytetit ku jeton,” shprehet inxhinieri Shkodra.
Krahas këtij suksesi, Edon Shkodra është edhe një ekspert për Siguri dhe Shëndet në Punë, i certifikuar nga European College of Kosovo. Ai gjithashtu mban certifikime në Prokurimin Publik, duke u marrë ndër vite me projekte të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Përgatitja e tij përfshin edhe menaxhimin e projekteve publike, menaxhimin e financave për projekte, si dhe menaxhimin e projekteve të sigurisë së përgjithshme. Pa dyshim, me një profil të tillë profesional në radhët e veta, kompania “EL BAU” ka plot të drejtë të mburret me inxhinierin Edon Shkodra.


