Në Gjilan, për herë të parë në historikun e këtij qyteti është luajtur një ndeshje kampionale nën dritën e reflektorëve e ku janë ballafaquar Gjilani vendas dhe Dukagjini i Klinës, ndeshje e cila u mbyll me rezultat 2:2.
Vendasit erdhën herët në epërsi në minutën 9 pas një dueli afër zonës së Dukagjinit, gjyqtari Genc Nuza dha gjuajtje dënimi për Gjilanin, prej ku rëndom gjuan Thaçi, por pasi ai ishte lënduar në aksionin paraprak prej aty gjuajti Morina, i cili me mjeshtri qëlloi këndin e epërm të djathtë të portës së Haxhihamzës për 1:0.
Pas golit të pranuar, Dukagjini ishte më i rrezikshëm dhe në minutën 20 ia doli që të barazojë rezultatin në 1:1 pas një gjuajtje të shkëlqyeshme me kokë të Pefqelit, i cili nga rreth 12 metra ia doli të mposhtë shtatlartin Qoriq.
Në minutën 39, pas një aksioni të gjatë, në Bilallin iu shkaktua faull dhe me siguri se do të jepej penallti, por gjyqtari lejoi që ndeshja të vazhdojë kështu që topin furishëm e qëlloi Potoku, i cili e nguliti në rrjetë për rezultatin 2:1 për Gjilanin.
Me të nisur pjesëloja e dytë, pas një harkimi të Krivanjevës, Jashari gjuajti me kokë nga afërsia, por për pak nuk ishte i saktë.
Në minutën 54, pas harkimit të Iliasa Zylfiut nga këndi, mbrojtja e Gjilanit nuk kërceu sa duhet e si duhet dhe topi erdhi deri te Dienit Isufi, i cili nga afërsia barazoi rezultatin në 2:2.
Pas golit të pranuar, ritmi i lojës ra, ngase Dukagjini më tepër u koncentrua në mbrojtje, derisa lojtarët e Gjilanit nuk po mundnin assesi të organizojnë ndonjë sulm të mirë, kështu që mysafirët me lehtësi po e evitonin rrezikun. /kryelajmi.com/.





