Futboll

Drita humb kryendeshjen me Ballkanin

Drita është mposhtur në ndeshjen derbi të zhvilluar ndaj Ballkanit në Drenas, humbje që atyre u ka kushtuar edhe me humbjen e pozitës së liderit në kreun e tabelës në Superligë.

Pas një pjesëloje të barabartë në të cilën të dy ekipet patën mundësi të mira shënimi, rrjetat kanë ngelur të paprekura.

Mirëpo, krejt ndryshe ka qenë në pjesën e dytë e cila është karakterizuar me gola të shënuar. Ballkani ka shënuar në minutën 54, nëpërmjet qendërsulmuesit të tyre Solomon, gol i cili sikur i befasoi futbollistët e Dritës. Katër minuta më vonë, Ballkani ka shënuar edhe njëherë dhe sërish nëpërmjet sulmuesit Solomon. Fillimisht goli është anuluar për pozitë jashtë loje, por pas shikimit të VAR-it, goli është pranuar. Është interesant se VAR është vonuar së tepërmi dhe në fund pa e kërkuar mendimin e gjyqtarit kryesor kanë marrë vendim për pranimin e golit.

Pas golit të dytë të pranuar, Drita u sul kah porta vendase, por sërish rastin më të mirë e pati Solomon në minutën 85, kur nga një largësi mbi 20 metra me gjuajtje të fuqishme e qëlloi shtyllën e Malokut, i cili mbeti i shtangur.

Drita rastin më të mirë për shënim e pati në minutën 89, kur pas harkimit të Kryeziut, Cuculi e qëlloi topin me kokë, por në vend të rrjetës, topi u përplas për shtylle. Edhe në minutën 90, Simonovski nga një pozitë e mirë gjuajti furishëm, por topi shkoi jashtë.

Në minutën e dytë shtesë, pas një depërtimi vetjak të Krasniqit, Muharrem Jashari si lojtar i fundit ndërhyri nga prapa dhe gjyqtari Genc Nuza e ndëshkoi me karton të kuq. Nga gjuajtja e dënimit Baftiu gjuajti bukur, por Faton Maloku shpëtoi portën e Dritës.

Në fund Ballkani – Drita 2:0.

You Might Also Like