Shkruan: Sylejman Ismajli
Në vitin futbollistik 1991-92, me largimin e detyruar nga fushat zyrtare si pasojë e represionit të egër që po ushtronte regjimi serb ndaj popullatës dhe sportistëve të Kosovës, KF Drita nisi një epokë të re. Skuadra gjilanase, ashtu si shumë ekipe të tjera kosovare, arriti të riorganizohet me mund të madh. Falë dashurisë për lojën e futbollit dhe sakrificës së pashoq, ata i treguan sistemit okupues serb se nuk ekziston asnjë forcë që mund ta ndalë dashurinë për shtetin e Kosovës.
Në kampionatin e parë të pavarësimit të sportit kosovar, futbollistët e Dritës zhvilluan gjithsej 18 ndeshje. 9 në stinorin vjeshtor dhe 9 në atë pranveror. Ndeshja e parë historike u zhvillua më 14 shtator 1991 në Llukar të Prishtinës kundër Besëlidhjes, ku Drita triumfoi me rezultat 3-1. Golat e parë u shënuan nga Azemi, Murseli dhe Maliqi.
Në këtë takim, Drita u paraqit me formacionin: Jaha, B. Sylejmani, Murseli, Kryeziu, I. Sylejmani (Zubaku), Syliqi (Kurtalani), Azemi, Shkodra, Hajrullahu, Maliqi dhe Krasniqi.
Ndeshjen e parë si vendase, Drita e zhvilloi në fshatin Dobërqan më 5 tetor 1991, duke mposhtur Drenicën me rezultat 2-1.
Në stinorin vjeshtor, Drita arriti 4 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Në stinorin pranveror, skuadra shënoi 3 fitore në fushë, 2 fitore me rezultat zyrtar dhe 4 barazime. Nga 18 ndeshje në total, KF Drita shënoi 9 fitore, 7 barazime dhe 2 humbje, duke u renditur në pozitën e pestë. Skuadra shënoi 35 gola dhe pësoi 17, duke grumbulluar 25 pikë. Golashënuesi më i mirë i skuadrës ishte Haki Azemi me 8 gola të shënuar.
Rezultatet e Plota të Sezonit 1991-92
Stinori Vjeshtor:
Besëlidhja 1-3 Drita (Llukar)
Drita 3-3 Kaçaniku (Kaçanik)
R. Sadiku 1-2 Drita (Llukar)
Drita 2-1 Drenica (Dobërqan)
Vëllaznimi 2-0 Drita (Gjakovë)
Drita 8-0 Suhareka (Gjilan – stadiumi ndihmës)
Kosova 1-1 Drita (Lumi i Madh)
Drita 1-1 Flamurtari (Gjilan – stadiumi ndihmës)
Prishtina 1-0 Drita (Lumi i Madh)
Stinori Pranveror:
10. Drita 1-1 Trepça (Gjilan – stadiumi ndihmës)
11. Liria 0-0 Drita (Xhinovc)
12. Drita 3-0 Besa (Rezultat zyrtar)
13. Feronikeli 1-2 Drita (Komoran)
14. Drita 1-0 Llapi (Përlepnicë)
15. Ferizaj 1-2 Drita (Kaçanik)
16. Rahoveci 1-1 Drita (Rogovë)
17. Elektroeko 1-1 Drita (Krushevc)
18. Drita 3-0 Gjakova (Rezultat zyrtar)
Futbollistët që KF Drita kishte në dispozicion në këtë kampionat ishin: Bashkim Jaha, Besnik Bunjaku, Rexhep Neshati, Mustafë Ibrahimi, Blerim Sylejmani, Daut Murseli, Ilmi Sylejmani, Muhamet Syliqi, Landrit Ibrahimi, Enver Kurtalani, Velveton Zubaku, Agron Xhemaili, Ekrem Kryeziu, Haqif Shkodra, Skënder Hajrullahu, Arben Maliqi, Adnan Aliu, Faruk Halimi, Sadulla Ajeti, Naser Ajeti, Haki Azemi, Agron Krasniqi, Gazmend Hyseni, Bajram Leka, Raif Bajrami, Halil Halili, Selajdin Jerliu, Naser Bunjaku dhe Veton Xhemaili. Këtë ekspeditë e udhëhoqën trajnerët Ekrem Beqi-Rukovci dhe Skënder Hoxha.
Ky rrugëtim i KF Dritës mbetet historik, një rrugëtim i dinjitetit dhe i mbijetesës kundër pushtuesit serb. Sakrifica e tyre dëshmohet nga fakti se në 18 ndeshje të zhvilluara, futbollistët vetëm në dy raste kishin të siguruar një mëngjes për ushqim. Në të gjitha ndeshjet e tjera, ata mbuluan shpenzimet e ushqimit nga mjetet e tyre personale financiare, duke mbajtur gjallë jo vetëm një klub, por një rezistencë të tërë kombëtare./kryelajmi.com/.





