
shkruan: Sylejman Ismajli
Rrugëtimi i një futbollisti në fushën e blertë është shpesh i paparashikueshëm, i mbushur me sfida, rënie dhe ngritje që mbeten thellë në kujtesë. Por, për Haki Azemin, futbolli nuk ishte thjesht një lojë; ishte një epokë, një histori qëndrese.
Fillimet e tij zënë rrënjë në fëmijëri, duke kaluar me pasion nëpër të gjitha kategoritë e KF C. Zvezda” të Gjilanit. Talenti i tij shpërtheu herët, duke debutuar në ekipin e parë si sulmues i djathtë në vitin e largët 1981, kur ishte vetëm 17 vjeç. Fizionomia, stili i lojës dhe shpejtësia e tij bënë që tifozët dhe bashkëlojtarët ta krahasonin menjëherë me ikonën e futbollit anglez, duke e thirrur me nofkën “Kevin Kigen”.
Ndonëse rruga e tij mund të merrte drejtime të ndryshme nga ofertat e shumta, dashuria për qytetin e tij triumfoi. Haki Azemi i mbeti besnik qytetit te Gjilanit, duke iu bashkuar KF Dritës në sezonin 1983-84. Për një dekadë të tërë, ai u kthye në zemrën dhe shpirtin e klubit “bardhekaltër”, duke i dhënë gjithçka nga vetja dhe duke mbajtur me krenari shiritin e kapitenit.
Vitet ’90 sollën një terr të paprecedentë. Makineria shtypëse e okupatorit serb i dëboi shqiptarët nga stadiumet, duke synuar të vriste çdo frymëmarrje të rinisë dhe sportit. Por aty ku okupatori mendoi se mbolli frikën, futbollistët mbollën shpresën. Azemi nuk u ndal asnjëherë; përkundrazi, ai u bë motori lëvizës i ” KF Dritës” në epokën e artë të pavarësimit të sportit të Republikës së Kosovës.

Fushat me baltë dhe livadhet e fshatrave u kthyen në arena lavdie.
Si kapiten i KF “Drita”, emri i tij u gdhend përjetësisht në ndeshjen e parë historike të kampionatit 1991-92 të Ligës së Republikës së Kosovës. Më 14 shtator 1991, në Llukar, ai shënoi golin e parë në fitoren 3-1 kundër “Besëlidhjes”. Në atë ditë historike, “Drita” zbriti në fushë me këtë formacion: Jaha, B. Sylejmani, Murseli, Kryeziu, I. Sylejmani (Zubaku), Syliqi (Kurtalani), Azemi, Shkodra, Hajrullahu, Maliqi dhe Krasniqi. Rrjetat u tundën nga Azemi, Murseli dhe Maliqi.
Kthimi “në shtëpi” për ndeshjen e parë si vendas u bë pas katër javësh, më 5 tetor 1991, në fshatin Dobërçan. Aty mposhtën Drenicën me rezultatin 2-1, me gola të vulosur sërish nga Azemi dhe Kryeziu. Formacioni i asaj dite ishte: Bunjaku, Xhemaili, Murseli, Kryeziu, I. Sylejmani, B. Sylejmani, Azemi, Maliqi (Ibrahimi), Shkodra, Halimi, Krasniqi (Aliu).
Historia e tij e golave kulmoi me hat-trickun e parë pas pavarësimit të futbollit kosovar. Më 27 tetor 1991, në stadiumin ndihmës në Gjilan, ku KF Drita shkatërroi Suharekën me një fitore të thellë 8-0. Krah Azemit, shënuan edhe Krasniqi, Aliu, Halimi, Murseli dhe Ibrahimi. Skuadra luajti me: Bunjaku, B. Sylejmani, Ibrahimi, Shkodra, I. Sylejmani, Murseli, Azemi (Hyseni), Maliqi, Aliu (Hajrullahu), Halimi, Krasniqi.
Në atë kampionat të parë plot vuajtje e lavdi, Haki Azemi ishte golashënuesi më i mirë i Dritës me 8 gola, dhe lojtari me më së shumti paraqitje – 16 ndeshje nga 18 të zhvilluara, një rekord që e ndau me bashkëlojtarin e tij, Haqif Shkodra. Për këtë kontribut monumental, kapiteni u shpall ndër 10 futbollistët më të mirë në Kosovë për vitin 1991-92.
Legjenda e tij vazhdoi të rritej. Në kampionatin e dytë (1992-93), ai u bë golashënuesi i parë në stadiumin e improvizuar në fshatin Malishevë. Më 18 tetor 1992, në javën e V-të ndaj “Ulpianës”, shënoi golin e vetëm të ndeshjes, duke siguruar fitoren 1-0.
Me lindjen e klubit të ri KF Gjilani ’95”, Haki Azemi hapi një kapitull të ri, duke kaluar në këtë skuadër si kapiten i KF Gjilanit. Edhe këtu, tradita nuk ndryshoi: në ndeshjen e parë të klubit, ai shënoi golin e parë kundër Lepencit në fitoren 4-0. Në atë kampionat, demonstroi sërish madhështinë e tij duke u shpallur golashënuesi më i mirë i Liges me 28 gola dhe duke u renditur përsëri ndër 10 lojtarët më të mirë në Kosovë.

Sot, Haki Azemi, futbollisti i historisë së qytetit të Gjilanit, mban mbi supe një krenari të rrallë: atë të mbrojtjes së ngjyrave dhe mbajtjes së shiritit të kapitenit për dy klubet e qytetit në kohët më të errëta. Kur kujton ato vite, sytë e tij mbushen me lotët e një njeriu që ka dhënë gjithçka për lirinë dhe sportin:
“Është kohë e gjatë… ishin vite të mbijetesës, vite të sakrificës, vite të pushtimit serb. Ishim të pangrënë e të papirë, luanim nëpër ara e livadhe të rrezikuar vazhdimisht. Jo vetëm unë, por të gjithë ata futbollistë që patën fatin e guximin të luajnë në ato vite, i falënderoj nga zemra dhe ndihem shumë krenar për ta. Me aq shumë mund sa patëm, e mbajtëm gjallë futbollin, duke u lënë histori shumë gjeneratave të ardhshme se si duhet sakrifikuar për atdheun edhe kur je nën okupim, i pangrënë e i papirë. Jam krenar dhe ndihem thellësisht i lumtur që i takoj kësaj pjese të historisë. Këtë e bëmë me zemër, me dashuri për futbollin dhe për brezat që do të vijnë.”

Gjilani ka qenë përherë një djep atdhetarësh, me njerëz që i kanë dalë zot vendit në çdo thirrje për ndihmë. Haki Azemi është një nga këta heronj të heshtur të fushës së blertë. Brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë nuk duhet ta harrojnë kurrë këtë zanafillë; historia e mbijetesës së popullit të Kosovës është e shkruar në çdo fushë, në çdo livadh të kthyer në stadium, dhe në çdo pikë djersë të derdhur nga njerëz që nuk u dorëzuan kurrë.
Haki Azemi është vëllau i dëshmorit të kombit, Naser Azemi. /kryelajmi.com/.





