KKSB në Viti diskutoi për gjendjen e sigurisë, rastet e dhunës në familje dhe shqetësimet e qytetarëve
Është mbajtur mbledhja e pestë e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku janë diskutuar zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, rastet e dhunës në familje, përdorimi i narkotikëve, siguria në shkolla dhe disa shqetësime të tjera që prekin qytetarët e komunës.
Mbledhjen e kryesoi nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i cili në fillim kërkoi një minutë heshtje në nderim të dy viktimave nga familja Bogujevci në Pozheran, të cilët u vranë javën e kaluar, si dhe një qytetari që humbi jetën në një aksident në Gërmovë.
Nënkryetari Aliu bëri të ditur se, përkundër këtyre rasteve tragjike, gjatë periudhës ndërmjet dy mbledhjeve të KKSB-së, gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunën e Vitisë ka qenë e qetë.
Ndërkaq, zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Viti, toger Burim Musliu, raportoi për aktivitetet dhe rastet e evidentuara nga policia. Ai bëri të ditur se nga mbledhja e fundit e KKSB-së janë regjistruar 80 raste penale, prej të cilave 13 raste të dhunës në familje.
Shqetësues, sipas policise, mbetet fakti se që nga fillimi i këtij viti janë evidentuar gjithsej 46 raste të dhunës në familje, ndërsa problem qëndron tek përsëritja e këtyre rasteve nga persona të njëjtë. Ai theksoi se një prej vështirësive është mungesa e një institucioni të specializuar për trajtimin e personave të tillë, veçanërisht atyre që kanë edhe probleme të shëndetit mendor. Musliu përmendi gjithashtu rastet e përdorimit të narkotikëve, rrezikun që paraqesin qentë endacakë dhe dëmtimin e rrugës Viti–Gërlicë, ku qytetarët po pësojnë dëme në automjetet e tyre. Për këtë të fundit, ai kërkoi ndërhyrjen e ministrisë përkatëse për rehabilitimin e rrugës.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për sigurinë e nxënësve gjatë ekskursioneve shkollore në Shqipëri. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, rikujtoi vendimin për shtyrjen e këtij ekskursioni, për shkak të zhvillimeve dhe situatës së sigurisë në Shqipëri.
Kryetari Haliti u shpreh se është e dhimbshme ajo që po ndodh, duke iu referuar rasteve të vrasjeve në komunën e Vitisë dhe ngjarjeve të fundit në pjesë të ndryshme të Kosovës. Ai theksoi nevojën që të gjithë mekanizmat institucionalë të angazhohen dhe të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e rasteve të tilla.
Gjatë diskutimit, Haliti foli edhe për vështirësitë buxhetore me të cilat po përballet Komuna e Vitisë, duke veçuar barrën financiare që, sipas tij, po shkakton zbatimi i kontratës kolektive.
Edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha, ngriti shqetësimet lidhur me rastet e vrasjeve, përdorimin e narkotikëve dhe dhunën në shkolla. Ai kërkoi shtimin e patrullimeve policore nëpër vendbanime dhe në rrugët ku është e nevojshme të kontrollohet respektimi i kufizimeve të shpejtësisë, si dhe ndërmarrjen e masave konkrete për parandalimin e këtyre dukurive.
Hoxha gjithashtu prezantoi një shkresë të kryetarit të Këshillit të Prindërve të Shkollave të Mesme në Viti, përmes së cilës është kërkuar shtyrja e ekskursionit të nxënësve në Shqipëri, për shkak të situatës së sigurisë.
Mbledhja e Pestë e KKSB-së u përmbyll me theksimin e nevojës për bashkëpunim dhe koordinim më të madh ndërmjet institucioneve të sigurisë, institucioneve komunale e qendrore, posaçërisht të merret ne konsideratë kërkesa për rehabilitimin e rrugës rajonale Viti-Gerlicë, si dhe nje angazhim më i madh me qëllim të parandalimit të dukurive negative dhe rritjes së sigurisë për të gjithë qytetarët.Aziz Zuka




