Libri

E PAFAJSHME SI IMJA DASHURI

Zize Liza PEPSHI

E PAFAJSHME SI IMJA DASHURI
( Me rastin e vlerësimit të dy librave poetikë të kësaj poeteje mërgimtare, në edicionin e 17 të Manifestimit VJESHTA LETRARE E GJILANIT, më 14 nëntor 2026, ora 12:00, në bibliotekën “Fan S. Noli”, në Gjilan)

FËMIJËRIA IME

Nuk e di në të dua aq shumë
që më shfaqesh në gjumë
fëmijëria ime
me shumë kujtime trishtime
në mua përherë e pranishme

Copa më e madhe e jetës
ku të të lë nuk e di
në këndin e vdekjes assesi

Të të var në qafë
të të lë vath në vesh
apo hapësirës së trupit tim
të të ngjesh

Aq shpesh më vjen
pa gjumë më gjen
e pa gjumë më len

Më del dhe përpara
nëpër livadhe ara
e bjeshkëve përpjetë
më djeg si eshkë

Ditëve shkollore
tek shkoja pa fletore
me çupa e djem dorëpërdore
tokave tona tërthore

Me qengja e dele
e lule sherbele
me tamëlborë
në dorë

Me gjyshen e me t’shpisë
tek rrinim te votra
te tëbani
e ajo flakë zjarri

Sa më ka marrë malli
o Zot

Kur murmuronte moti
sekush thoshte
është hidhëruar ai i Lumi

Im at hapte derën
ta ndalte me gjosk erën
që lëkundte dërrasat
ne shikonim nga plasat

Shumë mjegull ka në majë
thoshte tek kthehej brenda
e syve të tij trashej brenga

Fëmijëria ime
gjithmonshëm rri në mua
ashtu siç ishe të dua
kah eca këmbë shtigjet
ngadalë pas grigjet
duke kënduar pa pra
ia oj ua oj – ia oj ua oj

Jemi rritur e – jemi shtuar
sall atdheut – të rralluar
dherave të huaja – përmalluar

Ti mbete ajo e hershmja
e paqta fëmijëri
na strukë si dikur
na mban në gji

Kahdo që të shkojmë
ti mbetesh e pafajshme
si jona dashuri

KUR TË DJEG MALLI

Vendi im frymëzim i jetës
edhe pse jam e mërguar
shpirti im bashkë me ndjenën
kurrë s’të kam harruar

Kur shikoj Alpet e huaja
fusha male kurorë mbi shkrepa
vargjet unë me lot i lava
te ti vinin të miat ndjenja

Mos mendo keq për mua
nuk kam ikur me dëshirë
vuajtje ndjekje rënduan mbi mua
m’u dogj zemra bashkë me shpirt

E njoh fort mirë dashurinë
kur të djeg malli për shtëpinë
sa frikë me ta kthyer shpinën ty
a s’ta thonë më mirë këta sy

CILI ËSHTË ATDHEU IM

Sa herë numnëroj ditët
netët javët muajt …vitet
mendimet më vijnë si hitet
duke pyetur veten si e marrë
cilit atdhe i përkas

Aty ku jam lindur
apo ku u poqa në ndërkohë

Më janë përzier atdhetë
atdhetë që nuk ndahen dot
sa n’Kosovë
e sa në Zvicër

Dy gjysma që s’e bëjnë një të plotë
në mitër si bebe më janë lidhur

Faleminderit Zvicër
të dua Kosovë

ÇMENDURISHT

Saherë të tërbohet bota ti mos u trazo
merr pak fijeçmendurie nga gjithë ajo stuhi
dhe ik diku në një qoshe qaj e klith e kërko
gjuhën që Zoti kurrë nuk e tha

Atje tek rrinë djajtë bëhen “dasma shtrigash”
veç mos harro të shoqërohesh pak djallëzisht
e kur hënës në natë t’i ketë humbur shkëlqimi
të nesërmen dielli do t’i përvëlojë çmendurisht

DIELLI LIND DHE PERËNDON NË PERËNDIM

Do të këndoj dhe nuk do të hesht
do të bërtas deri në kupë të qiellit
do të qaj qesh e ulërij
derisa të më dëgjojnë mbi dhe ë nën dhe
të gjithë ata e ato që i përkundi djepi

Dhe nuk do të vdes jo
derisa rrufetë të dëgjojnë
bubullimën e tyre pas goditjes

Se dielli te ne
lind e perëndon
në perëndim

You Might Also Like