Gjilan, 3 maj 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune kryetarin e Lëvizjes “Besa” në Maqedoni, deputetin Afrim Gashi, me të cilin ka bashkëbiseduar për bashkëpunimin në të muirë të qytetarëve të kësaj komune dhe atyre të shtetit fqinj.
“Unë e njoftova kryetarin Gashi për format e bashkëpunimit që Gjilani ka me komunat e Maqedonisë, duke përfshirë edhe komunat me shumicë shqiptare dhe ato me shumicë maqedonase. Bashkëpunimi ndërkufitar Gjilan-Kumanovë tashmë është projekti më i madh, sikurse edhe bashkëpunimi Gjilan-Preshevë-Kumanovë është poashtu trekëndëshi kufitar më i madh. Biseduam edhe për hapjen e vendkalimit kufitar dhe interesat e bashkëpunimit edhe politik edhe partiak. Besojmë që bashkëpunimin do ta intensifikojmë edhe në të ardhmen”, ka deklaruar pas takimit kryetari Haziri.
Kurse, kryetari i Lëvizjes “Besa”, Afrim Gashi, tha se është kënaqësi që sot e ka vizituar Gjilanin dhe e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen miqësore.
“Biseduam për temat që na atakojnë si shqiptarë gjithandej dhe bashkëpunimin e mundshëm në nivel të dy shteteve dhe në nivel të komunave. Po ashtu, biseduam edhe për hapjen e kufirit Stanqiq-Bellanoc dhe është koha kur duhet t’i rikthejmë ato lidhjet meqë familjet tona janë gjithandej në Kosovë dhe Maqedoni. Urat e bashkëpunimit duhet t’i përforcojmë për të mirën e qaytetarëve tanë”, tha Gashi.