Gjilan, 14 shtator 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me këshillin komunal të drejtorëve, me përfaqësuesit e Kuvendit, ka takuar sot udhëheqësit e të gjitha institucioneve duke përfshirë Gjykatën, Prokurorinë, Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Universitetit, Bashkësinë Islame, udhëheqësit e shëndetësisë në nivelin primar dhe regjional, ndërmarrjet komunale etj, me të cilët kanë bashkëbiseduar për organizimin masovik të fillimit të aksionit për pastrim të Gjilanit.
Kryetari Haziri ka kërkuar pjesëmarrje masive nga të gjitha institucionet e përmendura dhe nga shoqëria civile e nga qytetarët për të krijuar një ambient më të mirë.
Ai ka potencuar se takimi në qendër të qytetit është nga ora 9:00 në sheshin “Agim Ramadani” për t’u shpërndar pastaj në bazë të lokacioneve të caktuara me planin e veprimit.
“Pas takimit shpërndarja e masës bëhet në drejtim të rrugës së Prishtinës, të Preshevës dhe të Bujanocit. Gjithashtu secila shkollë me komunitetin do të bëjnë pastrimin e ambientit të shkollës por edhe të lagjesnën. Ekipe tjera do të pastrojnë varrezat e qytetit, varrezat e dëshmorëve, të pendës, lumenjëve, parqeve, institucioneve dhe hapësirave rreth tyre, pastaj ambientin e institucioneve shëndetësore, të institucioneve të drejtësisë, sigurisë dhe mbrojtjes. Këshillat e Fshatrave dhe lagjeve së bashku edhe me Bashkësinë Islame dhe banorët nëpër këto lokalitete do të pastrojnë fshatin, varrezat e fshatrave dhe hapësirat publike nëpër fshatra”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që bashkërisht të krijojmë një ambient të pastërt për jetë, në mënyrë që java e parë e pastrimit të arrij qëllimin e saj real, për të vazhduar pastaj me planin e gjelbrimit të zonave të ndryshme, kudo që është e nevojshme në koordinim me komunitetin.
Kryetari ka apeluar te të gjithë qytetarët dhe komuniteti i biznesit që t’i bashkohen aksionit për pastrim dhe të jenë kontribues të ruajtjes së pastërtisë më vonë.
Të gjithë pjesëmarrësit tjerë në këtë takim kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për angazhim maksimal, në mënyrë që efekti i aksionit të jetë i lartë.