Gjilan, 18 shtator 2018 – Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Ars Clubin “Beqir Musliu”, ka mbajtur sot ceremoninë e dorëzimit të çmimit letrar për fituesin Ramadan Rexhepi, që është me prejardhje nga Presheva, i cili ka krijimtari letrare për më shumë se pesë dekada në mërgim.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky çmim dhe aktivitete të shumta kulturore Gjilanit i bëjnë nderë dhe e forcojnë edhe më shumë themelin e një kryeqendre të madhe të artit, kulturës dhe vlerave kulturore në përgjithsësi, sikur që është Gjilani.
“Është nderë i veçantë që sot ndajmë çmimin e 12 me radhë duke na bërë nderë të gjithë neve. Ka shumë dekada që fituesi i sotëm i këtij çmimi nuk ka qenë në Gjilan. Mbi 50 vjet duke vepruar e krijuar në mërgim, ai na vjen sot sikur në ëndrra dhe na shpalos moment interesante që kishte me Rexhep Elmazin dhe me shumë figura të shquara që tashmë janë të përmasave kombëtare. Është romancieri i parë është një figurë që krijimtarisë letrare ia kushton gjithë kohën. Ky është vargu që neve të gjithëve na ka mësuar se si fitohet liria, si flijohet për liri dhe se si duhet ndërtuar shtetin. Ndjehem krenar që çmimin e vitit 2018, po ia dorëzoj potetit Ramadan Rexhepi.
“Shkrimtari Rexhepi është kthyer si një njeri i madh, për të marrë një çmim të vogël që ndajmë ne, por që bartë emrin e një shkrimtari me vlera të larta profesionale e kombëtare Beqir Musliu.
Kryetari Haziri ka thënë gjithashtu se Gjilani dhe Anamorava nuk është e plotë në këtë Kosovë të ngushtë, nëse nuk arrin t’i sublimoj kërkesat e shqiptarëve të Kosovës Lindore për bashkimin me Kosovën.
Kurse, Sabit Rrustemi udhëheqës i Ars Clubit “Beqir Musliu”, ka thënë se është krenari që ky çmim i është dhënë figurave të shquara të letërsisë së Gjilanit dhe Kosovës. Ky vendim është marrë me unanimitet të plotë nga juria profesionale.
Për figurën e tij kanë folur edhe shkrimtarë e studiues të letërsisë, kurse vet autori Ramadan Rexhepi, ka thënë se ky është një çmim i veçantë sepse po kthehet në Gjilan me një mikpritje të jashtzakonshme e cila siç ka thënë ai i jep kurajo dhe energji për të punuar edhe më tutje.
Rexhepi ka bërë një ecje të shpejtë nëpër të gjithë historinë e tij e cila kishte nisur që nga vendlindja, pastaj angazhimi i tij në gazetën “Rilindja”, angazhimi i tij shumë i madh në shoqata të ndryshme shqiptare në suedi, në revista dhe puna e gjatë të cilën ai e kishte bërë si pedagog e mësimdhënës në Suedi, gjithmonë me qëllimin e tij të madh për të shkruar e për të botuar shqip.
Bashkërisht kryetari Haziri, shkrimtari Rexhepi dhe të gjithë pjesëmarrësit kanë vendosur fotografinë e fituesit në këndin e fituesve të këtij çmimi në Teatrin e Qytetit.
Juria profesionale për përzgjedhjen e fituesit të çmimit letrar “Beqir Musliu” ishte e kryesuar nga prof.Dr. Labinot Berisha, shkrimtari, Emin Azemi dhe udhëheqësi i Ars Clubit “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi.