Shkruan: Arzije Nuhiu, juriste dhe anëtare e kryesisë së degës së PDK-së në Gjilan
Të punosh për të mirën publike, në fillim duhet të punoh për vete. Ky “rregull”, më së miri u shkon këtyre që besimin qytetar e marin dhe e konsiderojnë si dhuratë për vete (pushtet absolut), duke e shndërruar të mirën kolektive në të mirë individuale e të “fisit”.
Përderisa me Sistemet Elektorale është garantuar se, hedhja e votës së qytetarit është e drejtë themelore, me këtë të drejtë qytetari do të dijë se, a ka të drejtë që pushtetin në Komunën tonë ta detyrojë që t’i nënshtrohet kërkesave dhe nevojave për; zhvillim të komunës; arsim më cilësorë; shëndetësi më efektive e më shëruese; infrastrukturë të qëndrueshme; kulturë e sport më të avancuar, e mbi të gjitha, mirëqenie më të mirë për ta.
Proklamimet dhe publikimet që bënë pushteti lokal te ne, janë me shumë pretendime për punë dhe aktivitete “zhvillimore” në komunë, thuajse qytetari ynë nuk jeton këtu.
Sfilitja që i bëhët qytetarit të komunës, si taktikë e këtij pushteti përmes së cilës do që qytetarin ta mësojë dhe bind që ai t’i përulet ekzistencës, të shoh vetëm rreth mbijetesës së tij dhe familjes, për faktin se këta e dinë, se kur njeriu vie në pozitë t’i përulet mbijetesës, ai as që do t’ia dijë për të tjerat, sepse dinjitet i tij është përtoke.
Banori i Komunës sonë, i lodhur e i dërmuar nga hallet e mëdha, çdo ditë shkelë rrugët me gurë e gropa, të degraduara skajshmërisht;
Banori i Komunës sonë, falë “kujdesit” të komunës, “shijon” kundërmim saherë hap dritaret e shtëpisë;
Banori i komunës sonë, lehet e sulmohet nga qenët endacak edhe në qendër të qytetit;
Banorit të komunës sonë, pa pëlqimin e tij, i vie ndërtimi ngjitas shtëpisë, ndërtim i cili jo vetëm që ia zë dritën por, më e keqja ia dëmton dhe rrezikon shtëpinë;
Përderisa shiu konsiderohet bereqet, banori i komunës sonë ia ka frikën shiut për shkakun e infrastrukturës së keqe, e cila mund t’i shkaktojë dëme në ekonominë familjare;
Banori i Komunës sonë ka humbur besimin në pushtetin komunal, përderisa shumë shpesh I bie të dëgjoj përballje të pushtetit me ligjin, madje edhe për aktakuza të ngitura ndaj zyrtarëve komunal, e edhe më keq ndaj kryetarit të komunës.
Duke pasur parasysh se Pushteti Lokal bartë pas vetës një varg përgjegjësish dhe obligimesh të shumta karshi qytetarit, pushtetarëve komunal po ua rikujtojmë Deklaratën Solemne të Betimit:
“Betohem (Deklaroj) solemnisht se do t’i kryej detyrat dhe t’i ushtroj kompetencat, me nder, besnikëri, paanshmëri dhe me ndërgjegje e në pajtim me ligjin, në mënyrë që të sigurohen kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”
E sa ka jetë të qetë për të gjithë, kjo veç se po shihet!
Për fund, Sistemet Elektorale, në mënyrën më të mirë e kanë të rregulluar takimin e pushtetit me qytetarin. Nëse jo më herët, pushteti dhe qytetari domosdoshmërisht “takohen” në Fund të Mandatit!