SC Gjilani është duke e zhvilluar fazën përgatitore në Antalia të Turqisë, para se të fillojë pjesa e dytë e kampionatit të Kosovës. SC Gjilani është duke e zhvilluar ndeshjen e radhës kundër klubit rus, Yenisy Krasonyarsk, që bën gara në ligën e dytë të Rusisë.
Kjo ndeshje është e karakterit miqësor, megjithatë klubi rus e paraqiti fillimisht Gjilanin si pjesë e Serbisë në grafikën e ndeshjes.
Klubi rus në kanalin e tyre në “Youtube” për ta ndjekur direkt ndeshjen miqësore, Yenisey Krasonyarsk e ka përshkruar Gjilanin si klub serb, ndërsa ky link është shpërndarë në Facebook nga SC Gjilani.
“Në linkun e mëposhtëm mund ta shikoni live ndeshjen FC Yenisey vs SC Gjilani, e cila fillon në ora 11:00 sipas kohës lokale në Kosovë”, thuhet në njoftimin e klubit të Superligës, ndërsa transmetimi direkt është titulluar “Ndeshja miqësore Yenisei vs Gilani (Serbia)”.
Por, pas reagimit të zyrtarëve gjilanas të cilët paralajmëruan edhe ndërprerjen e ndeshjes, rusët e përmisuan gabimin.
Tashmë në grafikën zyrtare të ndeshjes figuron që Gjilani është klub nga Kosova.
/Gazeta Sheshi/