Sot kam ditëlindjen,
ju them pa mahi,
për atë sot dita e ka
buzëqeshjen e qershive,
e gazin e fëmijëve!
Ju ftoj t`i cakërrojmë
gotat me poezi,
në Gjilanin tim
më t`bukurin në Dardani!
Këtë e dinë
edhe kinëzët në Kinë!
Merrni kë të doni,
s`jam i huaj,
as s`më dridhet dora,
sot unë paguaj
me rima e metafora!
S`janë pak, trëndëlinë,
Një mal vitesh mbi shpinë!
Lini hallet kur të niseni,
aty, nga Plepat,
më vargje të reja
do t`ju mbush xhepat!
Unë – sokol mali,
me dallëndyshet e mia
ju pres te “Kristali”.
Nëse dikush harron të vijë
në lojë shahu e merr mat,
nën çadrën e pishave të Radios
kafenë do ta pijë fillikat.