Libri

U përmbyll “Vjeshta Letrare e Gjilanit 2023”

Pas një sërë aktivitetesh letrare, këtë të shtunë është përmbyllur “Vjeshta Letrare e Gjilanit”, aktivitet ky që për çdo vit mbahet në Gjilan, gjithnjë në promovim të librit dhe të artit letrar, shkruan kryelajmi.com

Edhe sivjet, ka patur një aktivitet të frytshëm letrar, ku janë promovuar dhjeta libra në prozë e në vargje nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” dhe nga Shtëpia Botuese “Rozafa”.

Në përmbyllje të këtij Manifestimi, Arsim Halili, poet nga Lugina e Preshevës ka thënë se në vitin 2023 pati 23 botime dhe katër numra të Revistës “Agmia” dhe ai ka dhënë një vështrim për veprat e botuara në prozë, duke i trajtuar ato në mënyrë përmbajtjesore.

Ajete Zogaj, kritike letrare nga Prishtina, është paraqitur me një vështrim kritik mbi veprën e Anton Nikë Berishës “Dy kryevepra lirike të Fishtës”, duke thënë se Berisha ka ndriçuar lirikën e pasur dhe me vlera të Gjergj Fishtës.

Biser Mehmeti, redaktor i librit “Figura 17”, të Afrim Demirit, foli për këtë libër, për të cilin me një vështrim kritik është paraqitur edhe poeti Nexhat Rexha nga Dardana. Për këtë libër foli edhe vetë autori, Afrim Demiri nga Ferizaj, i cili tha se brenda 40 tregimeve është munduar të jap 40 pamje të një qyteti, kurse edhe poeti Anton Nikë Berisha është paraqitur me një prezantim tejet interesant për lirikën në veprat e Gjergj Fishtës, poet i cili njihet me veprën e tij “Lahuta e Malësisë”. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like