Futboll

Reagon FFK për rastin e Dritës dhe të transmetimit të ndeshjeve

Federata e Futbollit e Kosovës nëpërmjet këtij reagimi dëshiron të sqarojë opinionin për dy çështje të cilat gjatë ditës së djeshme morën vëmendje, por që u shfrytëzuan nga media dhe njerëz të caktuar që të krijojnë thashetheme ndaj FFK-së.
Çështja e parë është pezullimi i ndeshjes finale të parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve ndërmjet Dritës dhe Linfieldit, që erdhi si pasojë e mospërputhjes së protokolleve të UEFA-s për ndeshjet në kohën e pandemisë COVID-19 me protokollet e shtetit zviceran, aty ku ishte paraparë të zhvillohej ndeshja. Pra, nuk ka të bëjë asgjë me mirë apo keqmenaxhim të situatës me pandeminë në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe FFK, por thjesht me masat që i zbaton secili shtet në rastet e paraqitjes së personave të infektuar me COVID-19.

Edhe klube tjera që luajnë nën ombrellën e UEFA-s kanë pasur lojtarë që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, siç janë edhe rastet e fundit të dy klubeve spanjolle, Atletico Madrid dhe Sevilla, por që ndeshjet e tyre nuk janë pezulluar. Prandaj njerëzit që dalin dhe filozofojnë me deklarata nëpër TV dhe portale thjesht nuk duan të flasin me argumente dhe ta pranojnë të vërtetën, por qëllimisht shfrytëzojnë edhe raste të tilla si kjo që ta përgojojnë FFK-në me deklarata të pabaza dhe të kota. Sa i përket kësaj ndeshjeje tani jemi në pritje të vendimit përfundimtar të UEFA-s.

Do theksuar se FFK qysh nga fillimi shfaqjes së virusit COVID-19 në fillim të muajit mars ka marrë të gjitha masat për t’i mbrojtur dhe ndihmuar klubet dhe futbollistët e të gjitha rangjeve, derisa para rifillimit të kampionatit në muajin qershor në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe organet tjera shtetërore ka bërë testimin e të gjitha skuadrave të Superligës për COVID-19 dhe me ekipin e saj mjekësor e ka përpiluar protokollin sanitar në mbrojtje nga ky virus. Gjatë muajve të kaluar është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe falë përkushtimit të të gjithë pjesëmarrësve është arritur të përfundohet me sukses edicioni garues 2019/20.

Çështja tjetër të cilën duam ta sqarojmë janë thashethemet e qëllimshme të ngritura nga një kompani mediale rreth tenderit për shitjen e transmetimit të drejtave televizive të ndeshjeve të Superligës. Sa për informim kjo kompani nuk e ka kryer obligimin financiar të kampionatit të përfunduar (ka borxhe ndaj FFK-së).

Me këtë rast rikujtojmë se tenderi është bërë sipas kritereve të cilat janë marrë nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe është i hapur për të gjithë pa përjashtim; Kompanitë mediale, agjencitë dhe televizionet që i plotësojnë kriteret juridike, teknike dhe ekonomike. Ofertat shqyrtohen nga komisioni i ngritur për këtë çështje dhe fitues i tenderit shpallet kompania që ofron vlerën më të madhe financiare, shifër e cila më pas ndahet e gjitha për klubet e Superligës, e të cilat do të ftohen në takim kur do ta kemi fituesin e këtij tenderi.

Prandaj, zërat se FFK e ka përjashtuar dikë nga gara janë shpifje, dezinformata dhe formë shantazhi për t’u përpjekur që ta përfitojnë të drejtën e transmetimeve televizive pa garë konkurruese. Megjithatë, duhet ta dinë të gjithë se FFK nuk do të lejojë shantazhe të tilla, por do të jetë gjitonë strikte për garë të hapur dhe konkurrencë sa më të madhe, në mënyrë që klubet të përfitojnë sa më shumë të hyra nga e drejta televizive, por njëherësh ndeshjet që transmetohen të kenë shtrirje sa më të gjerë tek audienca.

You Might Also Like