Aksioni i sotëm me mbjelljen e luleve, ka shënuar edhe përfundimin e aksionit 22 ditor të pastrimit, ku në të gjitha fshatrat janë zhvilluar aktivitete për pastrimin e ambienteve, shesheve, rrugëve, oborreve të shkollave etj
Me një aksion për mbjelljen e luleve në parkun e qytetit të Vitisë, Institucionet komunale të shoqëruara nga pjesëtarë të KFOR-it amerikan, policisë, drejtorë të drejtorive e zyrtarëve komunal, punonjësve të kompanisë së pastrimit “Eco Higjiena”, Njësisë së zjarrfikësve dhe përfaqësuesve të OJQ-vë, është shënuar sot Dita e Tokës.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, duke falënderuar gjithë mekanizmat që kanë qenë të përfshirë në projektin e aksionit për pastrim me moton “Pastro dhe ruaj”, ka theksuar se për këto tri javë, Vitia me lokalitetet e saj ka qenë e përkushtuar në pastrimin e ambientit, duke u kujdesur për qytetarët e saj që të kenë një mjedis të pastër e të shëndetshëm. Gjithashtu, tha se aksioni i këtyre ditëve ka qenë mesazh për ngritjen e përgjegjësisë, që të mbahet ambienti i pastër dhe që secili qytetarë të ndjej përgjegjësinë për ruajtjen e ambientit.
Gjithashtu, janë zhvilluar aksion për pastrim edhe të varrezave ortodokse e katolike në Binçë, Letnicë, Viti, Pozheran etj.
E për nderë të Ditës së Tokës, Klubi i çiklistëve “Korri” nga Pozharani, kanë organizuar një shtegtim me moton: “Shtegtim i vogël për dashuri të madhe ndaj Tokës”.
Me këtë rast, çiklistët kanë shtegtuar në relacionin Pozharan-Viti-Kabash-Binçë-Viti-Pozharan. Aziz Zuka